Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se Greqia është bërë një bazë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Presidenti Erdogan doli në një konferencë të përbashkët për shtyp në Kompleksin Presidencial me Kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në kryeqytetin Ankara
Në krah të kryeministrit hungarez, Erdogan kërcënoi Greqinë se mund të hapë portat për refugjatët. Shkak është bërë deklarata e kryeministrit grek Mitsotakis sipas të cilit burimi i emigracionit është Turqia.
“Është mosmirënjohje të thuash se ‘problemi i refugjatëve buron nga Turqia’, vendi që mirëpret afro 5milionë refugjatë. Nuk e di se çfarë do të bëjë Greqia nëse hapim dyert. Mbi të gjitha, Greqia është vendi që shpon gomonet e refugjatëve në Egje dhe në Mesdhe, duke i lënë ata të braktisur në vdekje. Ne i kemi në dorë të gjitha dokumentet”, tha Erdogan.
Duke iu referuar bazës së ngritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rajonin e Aleksandropolit të Greqisë, Erdogan tha se “Vetë Greqia është bërë tashmë një bazë e Amerikës”.
Në konferencën e përbashkët për gazetarët, Orban i bëri thirrje BE që t’i përmbahet marrëveshjes për refugjatët.
“Nëse unioni nuk siguron kufijtë e tij, Bashkimi Europian do të shpërbëhet. Turqia ka një rol kryesor për të ndaluar situatën me refugjatët. Mendoj se BE duhet të vijojë mbështetjen financiare për Turqinë. Paratë nuk duhet të jepen me pjesë, por njëherazi”.
Ndërkaq, mijëra emigrantë gjenden në kufirin midis Bjellorusisë dhe Polonisë duke shkaktuar një krizë edhe humanitare Temë e diskutimit mes Erdogan dhe Orban ishte edhe kriza energjetike për të cilën u ra dakord që dy vendet të rrisin bashkëpunimin për të përballuar situatën.
/Burimi: BBC/ Përshtati: Priza.al/