Në muajt e fundit, mijëra migrantë nga Lindja e Mesme, Azia Jugore dhe Afrika, kanë tentuar të hyjnë ilegalisht nga Bjellorusia në Poloni dhe vende tjera të Bashkimit Evropian, Letoni dhe Lituani. Shumica prej migrantëve të këtyre rajoneve kanë arritur në fundmi me aeroplanë në kryeqytetin bjellorus.
Ndërkohë që kriza mes BE-së dhe Bjellorusisë rritet, si mund të përgjigjen Bashkimi Evropian, vendet anëtare, dhe Perëndimi, qoftë përmes padisë në gjykatat ndërkombëtare, regjimit të sanksioneve apo përballjes me valën e migrantëve në shtetet e treta? Nëse e gjithë kjo është duke u organizuar nga udhëheqësi autoritar, Aleksandër Lukashenko dhe forcat e tij të sigurisë, a janë duke shkelur ata ligjet dhe përkushtimet ndërkombëtare?
Nëse mund të vërtetohet se ajo çfarë po bën Minsku është trafikim i qenieve njerëzore, atëherë përgjigja është po. Bjellorusia është pjesë e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar Transnacional, në mënyrë më specifiike në dy dokumente që kanë hyrë në fuqi në periudhën 2003-04, Protokolli i OKB-së për të parandaluar, shtypur dhe ndëshkuar trafikimin e njerëzve, sidomos grave dhe fëmijëve dhe Protokollin e OKB-së kundër kontrabandimit të migrantëve nga toka, deti dhe ajri.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka miratuar edhe rezoluta kundër trafikimit të njerëzve, më të rëndësishmen më 2017, prandaj korniza ligjore ndërkombëtare për të mbajtur përgjegjës regjimin e Lukashenkos gjendet në të.
“Nëse janë të vërteta raportimet se regjimi është duke joshur njerëzit me premtime të rreme për rrugë të sigurt në BE – dhe të gjitha të dhënat, drejtpwrdrejt ose jodrejtpwrdrejt çojnë aty – Bjellorusia do të shënonte shkelje të rregulloreve ndërkombëtare për parandalim të trafikimit”, ka thënë Bakhti Nishanov, këshilltar i lartë për politika në Komisionin amerikan për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, të njohur edhe si Komisioni i Helsinkit.
Por ka edhe më shumë.
“Trajtimi abuziv i migrantëve nga forcat kufitare bjelloruse përbën keqtrajtim dhe në disa raste edhe torturë”, ka thënë Rachel Denber, zëvendësdrejtore për Evropën dhe Azinë Qendrore në organizatën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch në Nju Jork, duke vlerërsuar se Minsku është duke shkelur obligimet që ka nën Konventën e OKB-së kundër torturës dhe trajtimeve tjera mizore.
“Nëse ata janë duke shtyrë migrantët drejt Polonisë (apo Lituanisë) atëherë kjo përbën dëbim kolektiv, që është po ashtu i ndaluar”, ka thënë Denber.
Kufizimet në liri të lëvizjes shkelin Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.
Por a kanë mjete juridike BE-ja dhe vendet individuale? A mund ta çojnë ato në gjykatë Bjellorusinë?
Ata munden, por nuk do të veprojnë ashtu – të paktën jo kaq shpejt, kanë thënë disa diplomatë të BE-së për Radion Evropa e Lirë, në kushte anonimiteti.
Fillimisht secili mjet ligjor do të merrte kohë, ndërkohë që BE-ja dhe vendet anëtare duhen veprime të shpejta.
Së dyti, zbatimi i ligjit është i komplikuar. Shumë shtete kanë injoruar disa vendime ndërkombëtare në të kaluarën dhe shumë presin që Minsku të veprojë njëjtë.
Më pas duhet vendosur se në cilën gjykatë duhet drejtuar. Bjellorusia nuk është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale apo Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, gjykon rastet mes dy shteteve që kanë gatishmëri të çojnë përpara argumentet për një mospajtim.
Mirëpo për ta detyruar një shtet që të veprojë kështu, duhen vite.
Çfarë mundësish tjera ka BE-ja? A mund të zbatohen sanksione?
Ndërkohë dhe blloku edhe duke punuar aktualisht në pako të sanksioneve, të cilat mund t’i miratojnë ministrat e jashtëm kur të takohen në Bruksel më 15 nëntor.
Bashkimi Evropian është pajtuar më herët gjatë kësaj jave për të zgjeruar kriteret për sanksione për Bjellorusinë dhe që në listë të përfshihen “persona ligjorë, entitete apo persona përgjegjës për organizim apo kontribuim në aktivitete nga regjimi i Lukashenkos që ndërmjetësojnë kalime të paligjshme në kufijtë e jashtëm të një vendi anëtar si dhe kontrabandojnë mallra ilegalë në një territor të një vendi anëtar”.
Sipas disa diplomatëve të afërt me diskutimet për sanksionet, BE-ja do të ngrijë sanksionet dhe do të vendosë bllokada në lëvizje për 40 persona dhe entitete që Brukseli konsideron se janë të përfshirë në rritje të presionit në kufi me BE-në.
Në listë do të ketë zyrtarë dhe kompani të transportit në Bjellorusi, të cilët janë duke bartur njerëzit në kufi.
Në sanksione pritet të përfshihet edhe kompania ajrore e Bjellorusisë, Belavia, si dhe bankat shtetërore, Belarusbank, Belinvestbank, Belagroprombank.
A do të kenë këto sanksione efektet e dëshiruara?
Ekspertët kanë dyshime. Ato veprime janë shumë më pak sesa që është bërë thirrje. Prej vjeshtës së vitit 2020, BE-ja veçse ka miratuar katër raunde të sanksioneve që mbulojnë 166 persona, përfshirë Lukashenkon dhe anëtarët më të afërt të familjes, si dhe 15 entitete. Edhe disa sektorë shtetërorë si nafta, bankat, dhe duhani janë shënjestruar. Megjithatë, këto vendime nuk duket se kanë dekurajuar regjimin e Minskut.
Në të njëjtën kohë, Brukseli duket se po bën llogaritë me shumë kujdes. Marrë parasysh se sanksionet do të sfidohen në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, duhet të ketë të dhëna të sakta që tregojnë se njerëzit dhe kompanitë janë të përfshira në gjërat që po akuzohen. Kjo është një prej arsyeve se pse Rusia nuk është në telashe, pasi nuk ka përfshirje të drejtpërdrejtë në mes të Moskës dhe krizës me migrantë.
Çfarë tjetër mund të bëjë BE-ja?
Shtetet që përballen me krizë nëpër kufijtë e tyre, kanë nisur të ndërtojnë mure dhe ndalesa gjembore për të cilat do të donin të pagunte BE-ja, diçka që blloku evropian e ka refuzuar për kohë të gjatë, kryesisht për shkak të Murit të Berlinit dhe implikimeve tjera nga barrierat fizike. Të gjithë sytë do të jenë mbi Komisionin Evropian teksa planifikon të përditësojë Kodin Kufitar për Schengen në fillim të dhjetorit, duke përcaktuar se çfarë vendimi mund të marrë një vend në rast të një sulmi hidbrik, sikurse fluksi artificial i migrantëve.
Dhe ndonëse muret dhe ndalesat me gjemba mund të mos jenë zgjidhje për kufijtë e jashtëm të BE-së, “ndalesat fizike” mund të jenë masa për mbrojtje.
Çfarë ndikimi ka BE-ja te shtetet e treta që dërgojnë migrantët në Minsk?
Varet. Komisioni Evropian ka vlerësuar se prioriteti kryesor tani do të jetë që të ndalë fluksin në Bjellorusi. Margaritis Schinas, zëvndës-president i Komisionit Evropian, përgjegjës për migrimin dhe çështje të azilit, pritet të vizitojë disa shtete prej të cilave kanë ikur migrantët në ditët e fundit.
Brukseli ka arritur të zvogëlojë numrin e fluturimeve të drejtëpdrejta nga Bagadadi në Minsk, pas presionit politik dhe kërcënimeve për të ndalur fondet. Taktikë e ngjashme është përdorur edhe me Libanin, Jordaninë dhe Sirinë, kanë thënë zyrtarë të BE-së, mirëpo ata presin situatë më të vështirë kur bëhet fjalë për Turqinë për Emiratet e Bashkuara Arabe.
Polonia miraton ligj për dëbimin e migrantëve
Ankaraja ka marrëveshje për migrantë me Brukselin, e cila ua pamundëson miliona refugjatëve që të kalojnë Detin Egje, dhe tani mund të kërkojë më shumë financa, në këmbim të ofrimit të ndihmës në këtë fushë. Sipas Komisionit, shumica e personave në kufi me Lituaninë dhe Poloninë janë irakianë.
Ndonëse Qeveria në Bagdad është duke bashkëpunuar me BE-në në këtë çështje, Iraku ka hezituar që të pranojë refugjatët e kthyer, përveç nëse ata janë kthyer vullnetarisht – çështje që sipas zyrtarëve evropianë duhet të adresohet më shumë, pasi shumë persona janë bllokuar në tokën e askujt.
Çfarë po bëjnë organizatat tjera si Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR), Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) dhe Kryqi i Kuq? A mund të përfshihen për të shmangur katastrofën humanitare?
Shumë pak organizata mund të qëndrojnë afër rajonit kufitar, mirëpo autoritetet polake janë duke punuar me Kryqin e Kuq dhe Karitasin, një organizatë e krishterë për ndihma. Si zyrtarët e UNHCR-së, ashtu edhe ata të IOM-it kanë qenë në kontakt me Minskun dhe Varshavën, duke iu bërë thirrje që të kenë qasje të pakufizuar të migrantët, që të ofrojnë ndihmë humanitare dhe t’iu bëjnë thirrje atyre që duan të aplikojnë për azil, që ta bëjnë këtë gjë prej vendit ku janë.
Mirëpo kjo gjë mund të mos i pëlqejë Qeverisë polake, e cila nuk dëshiron që të krijohet përshtypje se po funksionon kjo rrugë e azilit, meqë shqetësohet nga frika e arritjes së më shumë migrantëve.
Polonia, për dallim nga Lituania, ka injoruar thirrjet e Brukselit që të lejojë agjencinë kufitare të BE-së, Fontex, të ketë prezencë në zonën kufitare, duke thënë se rojet shtetërore në kufi mund ta menaxhojnë situatën. Mirëpo nëse situata humanitare përkeqësohet në dimër, pritet të ketë më shumë thirrje nga organizatat ndërkombëtare që të ndërhyjnë në të dyja anët e kufirit.
/Burimi: REL/