Kriza energjetike në Shqipëri, Meta: Shkaku kryesor modeli ekonomik që zbatohet 10 vitet e fundit

Kreu i partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar lidhur me samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Norvegji ku kryeministri Edi Rama tha se duhej të kishte një treg rajonal për energjinë elektrike.

Me anë të një postimi në rrjete sociale, Meta shkruan se nuk mund të ketë treg rajonal të energjisë, ndërkohë që shkëmbimet tregtare të energjisë mes Kosovës dhe Serbisë, janë zero.

Sipas, Metës kriza energjetike në Shqipëri, ka sot shkak kryesor modelin ekonomik që ky sektor zbaton këto 10 vitet e fundit.

“Tregu rajonal i energjisë, fillon duke respektuar Bllokun e Kontrollit të Pavarur të Operimit, ku ti vetë je pjesë. Shqipëria është në një bllok kontrolli bashkë me Kosovën, e cila nuk përfaqësohej në takimin e Beogradit. Ndërsa Serbia është bllok kontrolli i pavarur së bashku me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat përfaqësoheshin të plota në Beograd. Shqiptarët duhet ta dinë se shkëmbimet tregtare të energjisë midis Kosovës dhe Serbisë janë zero.

Si mund të flasësh për treg rajonal apo bashkim tregjesh, kur ende nuk ke në operim tregun lokal të energjisë? Bursa Shqiptare e Energjisë ka si aksionerë OST dhe KOSTT. Të mendosh që tregu energjisë zgjidhet nga Ballkani Hapur, është injorim i investimeve të realizuara në sektorin energjitik nga shqiptarët dhe donatorë shumë të rëndësishëm si Banka Botërore, KFW dhe EBRD. Kriza energjitike në Shqipëri, ka sot shkak kryesor modelin ekonomik që ky sektor zbaton këto 10 vitet e fundit. Shumë pak investime në rritjen e prodhimit të energjisë nga burimet tona natyrore dhe asnjë investim për prodhimin e energjisë nga gazi natyror”, shkruan Meta.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *