Fajtor i krizës energjetike-elektrike në vend sipas kryeministrit Edi Rama është moti me diell.
Duke na hedhur tezën së çdo gjë ka funksionuar më së miri po për shkak të faktorëve që nuk janë në dorën e tyre mundet që energjia elektrike të rritet në muajt në vazhdim.
Por, e vërteta është e kundërta. Kriza energjetike në të cilën ndodhet vendi ka fajtor kryesor keqmenaxhimin e aseteve dhe prurjeve.
Në një prononcim për priza.al ish-drejtori juridik i Entit Rregullator të Energjisë, Eduart Elezi e quan krizën energjetike një keqmenaxhim dhe keqinformim të qeverisë.
Gjatë pyetjes së drejtuar për situatën e energjisë në vendin tonë, Elezi tha se situata energjetike aktualisht nuk varet nga reshjet por, kriza e energjisë elektrike ka të bëjë me shpërdorimin që i bëhet energjisë nga institucionet publike gjatë gjithë vitit duke shtuar se KESH ka prodhuar në terma normal njësoj si një vit më parë. Sakaq, janë prodhuar 3.75 teravat kështu që nevojat e konsumatorit janë plotësuar 100 përqind.
“KESH ka prodhuar në terma normal si një vit më parë. Por, kjo nuk është punë prurjesh është një keqmenaxhim që është bërë gjatë gjithë vitit. Keqmenaxhim është edhe pjesa e furnizimit me energji elektrike. Kështu që pjesa që flet kryeministri është një mashtrim ose keqinformim”, theksoi Elezi.
Sipas tij, abuzimi mbetet tek çmimet ku energjia është blerë me 1.5 lekë dhe e ka shitur në 400-450 euro për megavat.
“Normalisht energjia që prodhohet në Shqipëri është me hidro. Dhe normale që duhet të ketë edhe prurje. Qoftë bizneset që marrin si alternativën e fundit ato bizneset që ua kanë rritur tarifën, ua kanë bërë me çmimin më të lartë të tregut. Çmimi i energjisë elektrike në tregun e rregulluar është i lirë, e kanë marrë me 1.5 lekë dhe e ka shitur në 400-450 euro për megavat. Qoftë edhe konsumatori që është me energji të rregulluar me tarifa të rregulluara. Janë plotësuar me prodhimin e vendit”, tha Elezi.
Nga ana tjetër kryeministri Rama deklaroi se duhet të ketë reshje shiu dhe kursim në mënyrë që mos të ketë mundësi të rrisim çmimin e energjisë.
“Qeveria nuk do të lejojë që kriza e energjisë të shfaqet në faturën e energjisë. Pavarësisht se ne kemi vendosur fashën 800 kw, mbi këtë shifër janë një numër i vogël, duke parë që kishim një mundësinë nuk e lamë atë mundësi të fusnim duart në arkën e familjes. Po shohim nëse kemi mundësi që të mos e vëmë në zbatim edhe për nëntorin, duhet të kemi reshje. Për t’u krijuar kjo mundësi duhet nga njëra anë të kemi reshje, koha është shumë e bukur”, tha Rama.
Pra, mesa duket Rama e gjen gjithmonë fajtorin për të mbuluar gabimet e veta e për t’i hedhur ‘hi syve’ të shqiptarëve.
Kemi krizë energjetike, ishalla bie shi, kemi rritje çmimesh ishalla na del naftë në ‘Shpirag’. Propaganda e kryeministrit nuk ka fund kur vjen puna tek ‘mbulimi’ i keqqeverisjes së tij./priza.al