Kriza energjetike/ PS i përgjigjet Berishës dhëmb për dhëmbë

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri ka reaguar pak orë pas përfundimit të konferencës për shtypë që ish-kryeministri Sali Berisha mbajti për krizën energjetike. Sipas tij, Berisha tentoi sot të rikthehet në sytë e shqiptarëve si engjëll ndonëse gjithsecili prej nesh e di se maska e engjëllit nuk rri mbi fytyrën e varrmihësit të sektorit energjetik

REAGIMI

Gati 9 vite pasi na la në duar “kufomën energjetike”, Sali Berisha tentoi sot të rikthehet në sytë e shqiptarëve si engjëll ndonëse gjithsecili prej nesh e di se maska e engjëllit nuk rri mbi fytyrën e varrmihësit të sektorit energjetik. Do apo nuk do, i pëlqen apo nuk i pëlqen, ai do të mbahet mend si arkitekti i kolapsit financiar me sektorin energjetik, me humbjet mbi 45%, zinxhirin e borxheve mes kompanive mbi 1 miliard USD dhe lakun e falimentit në qafë falë privatizimit të dështuar e korruptiv të kompanisë së shpërndarjes.

Reforma në energji është një prej sukseseve më të qëndrueshme të qeverisë “Rama” dhe pse jo një prej arritjeve që si ish-ministër më bëjnë të ndjehem krenar. Në vetëm 5 vitet e para të qeverisjes sonë ne arritëm të përgjysmonim humbjet në energji, dyfishuam arkëtimet, rikthyem asetet e kompanisë në duart e shtetit shqiptar, i dhamë fund abuzimit ndaj qytetarëve në faturim, këputëm zinxhirin e borxheve mes kompanive dhe shëndoshëm financiarisht sektorin.

Investuam mbi 600 milion euro nga kompanitë publike në prodhim, transmetim dhe shpërndarje. Kapacitetet gjeneruese? Mjafton që kushdo të hapë raportin e ERE-s për vitin 2013 dhe ta krahasojë me raportin e vitit 2021. Kishim 1,878 MË kapacitete të instaluara publike/private ndërsa sot kemi 2,605 MË mes të cilave edhe shumë kapacitete të energjisë së rinovueshme duke i shërbyer diversifikimit të burimeve energjetike.

Dy fjalë dhe për gazin. Sali Berisha nënshkroi një kontratë të pa favorshme ku i vetmi përfitim ishte kalimi i tubacionit të TAP-it në territorin shqiptar. Asnjë tarifë kalimi në favor të shtetit, asnjë sasi gazi të siguruar, asnjë kapacitet transmetimi të rezervuar. Kompania Albpetrol aplikoi menjëherë në 2014 për të rezervuar kapacitetet e gazit. Nuk kishte një sasi të disponueshme gazi sepse ajo ishte e rezervuar tashmë që në 2013 nga vende të tjera të cilat kishin ditur të negocionin më mirë se qeveria e Sali Berishës.

Ndonëse të vendosur në kushte të pafavorshme nga kontrata e trashëguar e Sali Berishës, në arritëm të siguronim nga TAP një paketë prej mbi 80 milion euro përfitime shtesë mes të cilave rritjen e investimeve në komunitetet ku kalonte tubacioni, asistencën teknike në sektorin e gazit natyror dhe ofrimin e shërbimit të mirëmbajtjes së TAP në fazë operacionale nga pala shqiptare përmes Albgaz.

Së fundi, ndryshe nga sa gënjen Sali Berisha, Masterplani i Gazit për Shqipërinë dhe Identifikimi i Projekteve Potenciale kanë nisur të hartohen në vitin 2014 dhe kanë përfunduar në 2016 falë një financimi të Bashkimit Evropian prej 1.1 milion Euro përmes Bankës Evropiane të Investimeve. Ky dokument strategjik orienton të gjithë procesin dhe strategjinë për gazifikimin e Shqipërisë dhe kthimin në një nyje të rëndësishme energjetike.

Kriminalistika e shpjegon qartë fenomenin e rikthimit të autorit tek vendi i krimit ndaj është i kuptueshëm tundimi i Sali Berishës për të folur rreth sektorit energjetik.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *