Kryeministri Edi Rama deklaroi se të dyja vendet do të duhet të projektohen për marrëdhënien me BE-në pas përfundimit të luftës në Ukrainë.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e dy qeverive, Rama tha se se Shqipëria dhe Maqedonia duhet të jenë ambicioze në marrjen e fondeve nga unioni, duke theksuar më tej se ndihma e dhënë për energjinë elektrike është e rëndësishme por, mbetet një hap gjysmak nëse nuk do të ketë zhvillime të mëtejshme.
Kryeministri u shpreh se fondet e alokuara nga BE për Ballkanin janë pjesë e fondit të përvitshëm të IPA, prandaj sipas tij nuk mund të gëzohen me kaq.
“Ballkani i Hapur na ka dhënë shumë mundësi të reja për të parë përtej të djeshmes, për të kuptuar se si mund ta kapërcejmë të sotmen dhe për të projektuar një të ardhme e cila të rrisë në maksimum aftësitë e vendeve tona që të përfitojnë nga një hapësirë shumë më e madhe sesa hapësira jonë e përveçme gjeografike, kemi parë rezultate të mira nga marrëveshjet të bërë në kuadër të Ballkanit të hapur,. Do vazhdojmë të jemi mbështetës të palëkundur të procesit të Berlinit, nisma pjesë të njëra tjetrës, jo si përjashtuese të njëra tjetrës. Dua të theksoj se është koha që të projektohemi me shumë më tepër forcë në të ardhmen e përtej luftës dhe të marrim maksimumin nga këmbëngulja për të treguar një sinergji më të plotë me Bashkimin Evropian.
Normalisht që ndihma e marrë për përballimin e energjisë është një lajm i mirë, por nëse marrim parasysh se ato fonde janë një rialokim i fondeve IPA duhet të jemi më ambicioz dhe të mos gëzohemi me këtë hap që është një hap i madh, po të krahasohemi me momentet e pandemisë kur u lamë krejtësisht të vetëm pa vaksina, po nga ana tjetër është një hap gjysmak, për gjithë këtë komunitet dhe këtë bashkësi vendesh të Evropës. Dua të bëj një falënderim për zv. kryeministrin e qeverisë tuaj Artan Grubin, i cili e kryeson këtë proces, dhe besoj se është shqiptari më i mirë mes maqedonasve dhe maqedonasi më i mirë me shqiptarëve”, tha Rama.