Kriza energjetike, Shqipërinë e pret një dimër ‘jo i lehtë’

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka paralajmëruar qytetarët “për një dimër jo të lehtë”.

 

Ajo, në një intervistë me “Zërin e Amerikës”, deklaroi se është një moment i vështirë për të parashikuar se si do jetë ky dimër sa i takon “energjisë”.

Por theksoi se ajo që “kemi kaluar në këto tetë muaj, na bën të jemi të përgjegjshëm se do të jetë një dimër jo i lehtë”.

Kriza e rëndë energjetikë që ka mbërthyer veçanërisht Evropën, por dhe kushtet e pafavorshme të motit, me reshje të kufizuara e kanë vënë dhe Shqipërinë përballë zgjedhjeve të vështira.

Ministrja më herët pati njoftuar se duke nisur nga muaji i ardhshëm, çmimi për konsumatorët familjarë të energjisë nuk do të jetë më i njëjtë.

Ata që konsumojnë më shumë se 800 kilowat/orë në muaj, do të duhet që për sasinë e harxhuar mbi këtë kufi, të paguajnë, një çmim që pritet të jetë disa herë më i lartë se kuota aktuale prej 9.5 lekë, për kilowat/orë.

Balluku në intervistën e saj ka shpjeguar se deri më tani kostot e importit kanë shkuar në mbi 280 milion euro, dhe sipas skenarit negativ të qeverisë mund të arrijnë dhe 680 milion euro deri në fund të vitit.

Ajo thotë se pavarësisht krizës së rëndë, në vend nuk do të zbatohen kufizime të energjisë

Ministrja ka theksuar se viti është nisur me tre skenarë.

“Një skenar pozitiv, që në fakt nuk mund të ndodhte për shkak të kushteve atmosferike që ne ishim parapërgatur. Patëm një skenar bazik, që na ndoqi deri diku në fillim të muajit maj, dhe një skenar negativ që unë shpresoj të mos shkojë deri në fund të vitit si i tillë, por të nisin reshjet”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *