Në Shqipëri, duke nisur nga muaji i ardhshëm, çmimi për konsumatorët familjarë të energjisë nuk do të jetë më i njëjtë. Ata që konsumojnë më shumë se 800 kilowat/orë në muaj, do të duhet që për sasinë e harxhuar mbi këtë kufi, të paguajnë, një çmim që pritet të jetë disa herë më i lartë se kuota aktuale prej 9.5 lekë, për kilowat/orë. Kjo ndërhyrje e qeverisë synon nga njëra anë të reduktojë kostot e larta, të importeve të mëdha të energjisë, dhe anga ana tjetër të nxisë kursimin nga ana e qytetarëve. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku shpjegon se deri më tani kostot e importit kanë shkuar në mbi 280 milion euro, dhe sipas skenarit negativ të qeverisë mund të arrijnë dhe 680 milion euro deri në fund të vitit. Ministrja Balluku thotë se pavarësisht krizës së rëndë, në vend nuk do të zbatohen kufizime të energjisë
Kriza e rëndë energjitike që ka mbërthyer veçanërisht Europën, por dhe kushtet e pafavorshme të motit, me rreshje të kufizuara e kanë vënë dhe Shqipërinë përballë zgjedhjeve të vështira. Në kushtet kur çmimet në tregjet ndërkombëtare po rriten dita ditës, nën ndikimin e drejtpërdrejtë të luftës në Ukrainë, ecuria e tyre e ardhshme mbetet e paqarta, sikundër dhe parashikimet atmosferike, të cilat kanë një luhatshmëri të lartë, dimri i këtij viti, nuk do të jetë gjithashtu si më parë.
“Eshtë një moment i vështirë për të parashikuar se si do jetë ky dimër. Por çfarë kemi kaluar në këto 8 muaj, na bën të jemi të përgjegjshëm se do të jetë një dimër jo i lehtë”, deklaron ministrja Balluku.
Krahasuar me vitin e kaluar, prodhimi vendas i energjisë në 8 muajt e parë të këtij viti rezulton të ketë rënë me 40 përqind. Korporata energjitike, KESH, është detyruar të importojë gjatë gjithë kësaj periudhe. “Nga buxheti i shtetit janë injektuar më shumë se 280 milion euro dhe do të vijojë të injektohet në formën e kapitalit buxhetor, edhe një sasi tjetër, pasi vijmë të jemi në import në mënyrë konstante. Unë shpresoj shumë të kemi rreshje gjatë stinës se vjeshtës, që të kemi mundësi të prodhojmë gjithë sasinë e nevojshme për tregun dhe nga ana tjetër të nisim dhe eksportet, duke optimizuar kështu të gjitha kushtet financiare të sektorit”, shpjegon zonja Balluku.
Në rast të kundërt, sipas skenarit negativ të Qeverisë, financimi për blerjen e energjisë do të mund të shkojë deri në 680 milion euro.
Për të amortizuar sado pak kostot e larta të importit, por dhe për të nxitur kursimin nga ana e qytetarëve, qeveria pritet të vendosë zbatimin e çmimeve me dy nivele. “Sipas të gjithë të dhënave tonë dhe analizës që kemi bërë, fasha duhet të shkojë deri në 800 kilowat/orë në muaj. Në analizën tonë, rreth 70 përqind e kontratave, harxhojnë deri në 800 kilowat/orë, pjesa tjetër harxhon mbi këtë nivel, dhe do të trajtohen me një çmim tjetër”, tregon ministrja
Kjo diferencë në çmim do të reflektojë deri diku çmimin në treg? “Do të jetë një çmim miks. Pra kur ne blejmë me 300 euro megaëat/orën, apo kur blejmë me 1040 euro, sigurisht ka një ndryshim të çmimit miks, ku ndodhet brenda dhe çmimi i prodhimit. Kështu që do të jetë i reflektuar sipas raporteve mes dy çmimeve”, përgjigjet zonja Balluku.
Ministrja e Energjisë, thotë se qeverisë do t’i paraqiten disa variante për çmimin mbi 800 kilowat/orë, pa përcaktuar se sa do të mund të shkojë. Por me gjasë ai pritet të jetë disa herë më i lartë se çmimi prej 9.5 lekësh që zbatohet aktualisht pa dallim mbi sasinë e konsumuar. Edhe sepse, siç deklaroi zonja Balluku, çdo kilowat/orë mbi kuotën e përcaktura do të konsiderohet përdorim luksi.
Në mbështetje të sigurimit të burimeve të energjisë, autoritetet kanë kontraktuar dhe dy anije që prodhojnë përmes naftës, të cilat do të ankorohen në gjirin e Vlorës. Ato i përkasin kompanisë amerikane Excelerate Energy. “Ne presim që në ditët e para të shtatorit të ankorohen. Ka një kohë përgatitore të gjatë. Pra nuk është se sa arrijnë fillojnë prodhimin. Sasia që do të prodhohet është 114 megawat/orë, një sasi e rëndësishme ditore që i shtohet kaskadës”, deklaron ministrja.
Sipas zonjës Balluku çmimi i energjisë së përfituar pritet të luhatet mes 170 deri 200 euro për kilowat/orë, që krahasuar me atë aktual në tregjet ndërkombëtare konsiderohet mëse i favorshëm. Por për ministren Balluku “çelësi i suksesit është kursimi” dhe për këtë shmë shpejt qeveria pritet të dalë me një strategji të posaçme.
Intervista e plotë:
Zonja Balluku, së pari u falenderoj për mundësinë e kësaj interviste. Do të doja ta nisja me një pyetje të drejtpërdrejtë. Çfarë dimri në pret këtë vit?
Belinda Balluku: Shumë faleminderit që më dhatë mundësinë për këtë intervistë me ju. Pasi ajo c’ka është me e rëndësishme sot në fushën energjitike, është komunikimi me qytetarët. Abuzohet shumë me faktet energjitike, ndërkohë që ka një krizë mbarëmbotërore që nuk e mohon dot askush, kështu që çdo intervistë, aq më tepër me mediume kaq prestigjioze siç është Zëri i Amerikës, janë të rëndësishme për komunikimin publik, kështu që unë dua t’ju falenderoj.
Çfarë dimri presim? Parashikimet janë të vështira, qofshin ato ekonomike, qofshin ato atmosferike. Parashiket ekonomike sigurisht varen nga një sërë veprimesh gjeopolitike të cilat i kemi vënë re dhe nëpër bursa, qoftë ajo energjitike, qoftë ajo e hidrokarbureve, që sa herë kemi ndonjë ndryshim qëndrimesh nga palët në konflikt, qoftë nga Rusia, qoftë nga Ukraina apo qoftë dhe nga vendimet që mund të marrë Nato, menjëherë reflektohen në çmimet e bursave energjitike, apo të hidrokarbureve. Kështu që të parashikosh se çfarë do të ndodhë në dimër është shumë e vështirë, është një moment shumë dinamik dhe shumë fluid, që varet nga vendimet politike.
Sa i përket kushteve atmosferike, ajo çfarë ne vëmë re, është që një parashikim 5 ditor, që vlerësohet nga të gjithë profesionistët që është parashikimi më i saktë, nëse e nisim javën me një pritshmëri për kushte të mira hidrike dhe për rreshje, vetëm në ditën e tretë, fronti ndryshon për shkak të rrymave ajrore dhe ne gjendemi totalisht para një fakti të ri, dhe fronti i rreshjeve lëviz nga territori i Shqipërisë në një zonë të tjetër. Pra është një moment i vështirë për të parashikuar se si do jetë ky dimër. Por çfarë kemi kaluar në këto 8 muaj, na bën të jemi të përgjegjshëm se do të jetë një dimër jo i lehtë.
Le të ndalemi në disa aspekte konkrete. Si paraqitet sot situate në basenet e hidrocentraleve?
Kaskada e Drinit, prodhuesi kryesor i energjisë, sot ndodhet në nivelin e 270 metrave dhe kapaciteti energjitik i përllogaritur është 503 Gigawat.
Në situatën aktuale, deri në sa përqind të nevojave të veta, mund të mbulohen nga prodhimi vendas?
Ne mbulojmë nga prodhimi vendas, në një kohë prej një viti, 70 përqind të kërkesave të tregut, dhe 30 përqind nga importi. Sot që flasim vijmë nga një vit pa rreshje. I vetmi event i konsiderueshëm që kemi patur, ka qenë në prill me rreth 500 milimetra sasi rreshjesh, që na ka ndihmuar të hynim në verë me një rezervë hidrike të konsiderueshme. Por gjithsesi ka qenë një vit i thatë, dhe siç duket vazhdon të jetë. Fakti që muaji ka nisur me rreshje, na bën pak më shumë optimist për të pritur në ditët në vazhdim disa evente hidrike, por siç thashë parashikimet ndryshojnë.
Ky raport, 70 me 30 është konstant gjatë gjithë vitit, apo në dimër, kur është dhe periudha e pikut, mund të ndryshojë?
Ne i referohemi prodhimit vjetor dhe kërkesës vjetore të tregut. Por, i shpërndarë sipas sezonit apo muajit ndryshon, ka momente që ne mund të mbulojmë 100 përqind të kërkesës, madje mund të dalim dhe në shitje, dhe ka momente të tjera kur prodhohet shumë më pak se 70 përqind, si 40-50 përqind, siç po bëjmë në këto momente, por kemi rriskun e lartë të përdorimit të kaskadës. Në treg sot, sa herë që arrijmë një rekord mendojmë se nuk do shkojë më tej. Para pak ditësh i jam referuar një çmimi prej 612 euro për megawat. Të martën në darkë, kemi patur një çmim prej 1040 euro për megawat/orë. Në kilowat/orë, do të thotë 120 lekë për kiloëat orë, ndërkohë që sot paguhet 9.5 lekë nga familjarët. Ne po mundohemi të optimizojmë të gjithë mënyrën e akumulimit të sasive energjitike, qofshin nga prodhimi vendas, qofshin nga importi.
Deri tani, sa i ka kushtuar buxhetit të shtetit përballimi i kësaj situate?
Ne e kemi nisur vitin me tre skenarë. Një skenar pozitiv, që në fakt nuk mund të ndodhte për shkak të kushteve atmosferike që ne ishim parapërgatur. Megjithatë ne jemi të detyruar që gjithmonë të kemi në tryezë disa skenarë. Patëm një skenar bazik, që na ndoqi deri diku në fillim të muajit maj, dhe një skenar negativ që unë shpresoj të mos shkojë deri në fund të vitit si i tillë, por të nisin rreshjet.
Sot nga buxheti I shtetit janë injektuar më shumë se 280 milion euro dhe do të vijojë të injektohet në formën e kapitalit buxhetor, edhe një sasi tjetër, pasi vijmë të jemi në import në mënyrë konstante. Unë shpresoj shumë të kemi rreshje gjatë stinës se vjeshtës, që të kemi mundësi të prodhojmë gjithë sasinë e nevojshme për tregun dhe nga ana tjetër të nisim dhe eksportet, duke optimizuar kështu të gjitha kushtet financiare të sektorit.
Sa mund të shkojë kjo shifër deri në fund të vitit?
Skenari negativ që ne kemi parashikuar ka qenë rreth 680 milion euro, pasi qeveria shqiptare ka marrë një vendim shumë të rëndësishëm, si pjesë e paketës sociale. Kjo është diçka që duhet ta përmendim, sepse unë e shikoj që shpesh herë kur flasim për paketën, i referohemi parave që u dhanë për kompensimin e shportës, apo kompensimi i litrit të naftës për transportin publik, ndërkohë që pjesa më e madhe e paketës ka të bëjë, me injektimin buxhetor për të garantuar mbrojten sociale për të gjithë abonentët e lidhur në tensionin e ulët, të cilët janë familjarët por dhe bizneset e vogla. Gjithashtu, nuk duhet harruar se edhe abonentët e lidhur ne tensionin e mesëm sot marrin një çmim preferencial prej 18 lekësh, ndryshe nga çmimi në treg që ka arritur 45 apo më shumë.
Eshtë paralajmëruar mundësia e përdorimit të një tavani të konsumit të energjisë, përtej të cilit, çmimi nuk do të jetë ky që është është. Në media është folur për një tavan deri në 700, apo 800 kilowat/orë. Rreth cilave shifra po luhatet ky skenar?
Belinda Balluku: Eshtë bërë një analizë, lidhur me atë se sa është sasia e nevojshme për të mbajtur në këmbë një familje. Pra deri në atë sasi që një familje harxhon për veprimet jetike, bazike që kryen çdo ditë. Sipas të gjithë të dhënave tonë dhe analizës që kemi bërë, fasha duhet të shkojë deri në 800 kilowat/orë në muaj. Në analizën tonë, rreth 70 përqind e kontratave, harxhojnë deri në 800 kilowat/orë, pjesa tjetër harxhon mbi këtë nivel, dhe do të trajtohen me një çmim tjetër.
Ky çmim tjetër, deri në çfarë mase mund të lëvizë, nga 9.5 lekë për kilowat/orë?
Duhet patur parasysh që nëse ne konsiderojmë këtë limit, apo këtë tavan, si një tavan i nevojshëm për jetesën e një familjeje, gjithshka që shkon përtej do të konsiderohet si një përdoim luksi. Ne kemi dhënë disa variate që do të koordinohen dhe me ministrinë e Financave. Unë do t’i paraqes dhe në Këshill të ministrave për të marrë dhe nga kolegët, për të marrë mendimet e tyre pasi mbulojnë sektorë të rëndëisishëm siç është ai social, familjet në nevojë, apo konsumatorë të kategorive special. Kështu që pasi të futet në Këshillin e ministrave, do të merret një vendim për çmimin, por ne si ministri, kemi detyrimin që të sugjerojmë, dy, tre apo katër, variante të çmimit, por siç ju thashë, çdo kiloëatt orë, mbi 800 kilowat, do të konsiderohet si përdorim për luks. Po ju jap një shifër interesante, që rreth 7 përqind e konsumatorëve, dhe po flasim për tensionin e ulët gjthmonë, harxhojnë mbi 5 mijë kiloëatt/orë në muaj, që është një shifër shumë e rëndësishme sepse pavarësisht se është vetëm 7 përqind, ka një impakt shumë të madh në buxhetet e ndërmarrjeve energjitike. Kështu që duke patur parasysh të gjitha këto, edhe vendimmarrja do të jetë e duhura për të kompensuar të gjithë harxhimet që bëhen për të siguruar sasitë e energjisë
Kjo diferencë në çmim do të reflektojë deri diku çmimin e tregut?
Do të jetë një çmim miks. Siç e thamë dhe në fillim, ne ofrojmë një miks ditor, është prodhimi i kaskadës, dhe zoti na ndihmoftë që të mos arrijmë në pikën që nuk do të kemi prodhim nga kaskada dhe të kemi vetëm blerje në treg, dhe unë nuk besoj se do të arrijmë në ata nivele. Por ne çdo ditë reflektojmë një miks të çmimit. Pra çfarë prodhohet nga kaskada dhe çfarë blejmë nga importi. Sigurisht që çmimi rëndohet, kur rritet çmimi për megaëat/orë në import, pasi nuk ka më të bëjë me përqindjen, sa prodhohet nga kaskada, apo sa blihet nga importi, por ka të bëjë dhe me impaktin se sa ka të bëjë çmimi i importit në këtë miksim. Pra kur ne blejmë me 300 euro megawat/orën, apo kur blejmë me 1040 euro, sigurisht ka një ndryshim të çmimit miks, ku ndodhet brenda dhe çmimi i prodhimit. Kështu që do të jetë i reflektuar sipas raporteve mes dy çmimeve.
Kuota prej 800 kilowat/orësh është një mesatare vjetore, apo sezonale?
Ne e kemi përllogaritur dhe mbi bazë vjetore dhe sezonale. Shqipëria është një vend me katër stinë dhe ka pikun e përdorimit. Duhet thënë se familjet shqiptare e përdorin kryesisht energjinë për ngrohje apo për ftohje të ambienteve, dhe ngrohje të ujit. Rreth 26 përqind e energjisë përdoret për këto veprime. Pjesa tjetër përdoret për elektroshtëpiaket, për gatim etj. Kështu që analiza është bërë si në rrafshin vjetor, ashtu dhe sezonal. Janë disa muaj, që janë pak të tillë, ku ne nuk përdorim as ngrohjen as ftohjen, si maji apo tetori, por që janë pak. Nuk janë më stinë të tëra, si pranvera dikur që zgjaste 3 muaj. Ne kalojmë shpesh nga një prill i ftohtë në një fund maji ku njerëzit shkojnë në plazh. Ka një kurbë, që ne e kemi marrë parasysh, pra jo thjesht vjetore por dhe sezonale, kur konsumatori harxhon me shumë, gjatë periudhës së dimrit apo të verës?
A do të preken nga një diferencim i mundshëm i çmimeve edhe bizneset?
Kjo ka të bëjë me konsumatorin familjar. Ne kemi patur dhe një skanim të bizneseve, që ka të bëjë më shumë me ato biznese, që ndodhen në tensionin e ulët, por që për shkak të konsumit duhet të kalojnë në fashën e tensionit të mesëm, që do i ekspozonte ata ndaj një çmimi më të lartë. Nuk do preken bizneset që i përkasin fashës së tensionit të ulët, por ama do të kemi një reformim të këtyre bizneseve.
Mua më vijnë çdo ditë ankesa. Disa biznese i referohen sektorit të tyre. Nëse një biznes, ndodhet i lidhur me tensionin e mesëm, dhe ka të njejtin aktivitet dhe si sasi dhe si fushë, me një biznes tjetër që vazhdon i lidhur me tensionin e ulët, kjo para së gjithash krijon një konkurrencë të padrejtë, sepse kostot e produktit të biznesit të lidhur me tensionin e mesëm, janë më të larta se kostot e produktit të lidhur me tensionin e ulët, kështu që bërë të bërë transparencë, për të qenë të drejtë me konkurrencën, ajo çka ne po bëjmë është që po skanojmë të gjitha bizneset, duke analizuar konsumin e tyre, se kujt ata realisht i përkasin.
A është kufizimi I energjisë një opsion?
Kufizimi i energjisë do të ishte një opsion ekstrem të cilin ne nuk e konsiderojmë. Qeveria shqiptare nuk e konsideron në asnjë nga skenarët, ndërprerjen e energjisë. Ne nuk do të donim që shqiptarët të ktheheshin në vitet 2005, 2006, 2007 kur jetonin me tre-katër orë drita në ditë. Por ajo çka është e rëndësishme dhe duhet ta themi, është se pavarësisht se ndonjë herë nuk merret seriozisht, është konsumi dhe kursimi. Në ditët e sotme, është e rëndësishme që çdo qytetar, të tregojë ndjeshmëri ndaj kursimit të enegjisë. Nuk ka të bëjë as me thirrjen e qeverisë, për t’u dukur trendy, as nuk është diçka që të jetë propagandë. Eshtë diçka bazike, diçka jetësore në ditët e sotme. Siç thashë, problematika më e madhe sot, është çmimi me të cilin tregtohet, me faktin që Shqipëria e ka të bazuar të gjithë prodhimin vendas mbi energjitë e rinovueshme. Diçka për t’u përshëndetur, që partnerët tanë europianë e vlerësojnë shumë. Por nga ana tjetër jemi në varësi totale nga moti. Por çka është e rëndësishme në ditët e sotme, është mungesa e energjisë në treg, dhe nuk ka të bëjë me Shqipërinë. Ka të bëjë me një krizë ndërkombëtare, e cila padyshim është nxitur nga konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës, gjithë problematikat me gazin rus, por nga ana tjetër dhe me të gjithë ndryshimet klimaterike që ka pësuar i gjithë globi, duke nisur nga era që fryn më pak. Në Detin e Veriut janë prodhuar 50 përqind më pak, nga ç’pritej, nga plani i zakonshëm. Duke shkuar më pas te reshjet e munguara. Kemi shkuar në një situate emergjente të shpallur në Britaninë e madhe dhe Gjermani, dy vende që njihen për kushtet e mira hidrike dhe reshjet e shumta. Ishte viti i parë që ndesheshin me thatësirën. Kështu që të gjitha këto, dhe një konglomerat faktesh, ka sjellë sot botën përballë një momenti shumë të vështirë, të mungesës së sasive të energjitike në treg. Prandaj sot tregtohet me këto çmime, sepse është e pakët në treg. Dhe çelësi i suksesit është kursimi. Ne do të dalim shumë shpejt me një strategji sa i përket kursimit. Kemi disa javë që gjatë muajve të verës, në një mënyrë shumë të thjeshtë, që të jetë e kuptueshme për të gjithë, kemi nisur të komunikojmë se si një pajisje që duket komplet e pavlefshme, karikuesi, duke qenë në prizë, harxhon energji, apo se si llampat mund të ndryshojnë, nga ato normale, në led, që harxhojnë shumë më pak energji, dhe shumë e shumë veprime të tjera që do të kontribuonin në ruajtjen e sasive energjitike
Eshtë paralajmëruar kontraktimi i dy anijeve që do të prodhonin energji. A ka ecur ky projekt, dhe çfarë sasie do të mund të prodhonin?
Projekti ka ecur. Pas pak ditësh do të ankorohen në Triportin e Vlorës. Ndërkohë KESH-i që do jetë dhe entiteti shtetëror që ka marrë këto anije me qera, po merr të gjitha masat logjistike, së bashku me operatorin e transmetimit, sa i takon lidhjes në rrjet të dy anijeve që arrijnë. Këto anije janë kontraktuar dhe vijnë në Shqipëri, nga kompania amerikane Excelerate Energy, që është dhe një nga anëtarët e konsorciumit për ndërtimin e Portit lundrues të Vlorës, por agzin e lëngshëm, edhe për rivitalizimin e centralit të Vlorës, që tashmë do të kthehet me gaz të lëngshëm. Kështu që kemi një partner të besueshëm, një partner që ka të gjithë ekspertizën sa i përket operimit. Dhe ne presim që në ditët e para të shtatorit të ankorohen. Ka një kohë përgatitore të gjatë. Pra nuk është se sa arrijnë fillojnë prodhimin. Sasia që do të prodhohet është 114 megawat/orë, një sasi e rëndësishme ditore që i shtohet kaskadës.
Dhe kjo është një nga masat që kemi marrë për përballimin e krizës. Siç janë dhe një sërë të tjerash, siç është dhe depozitimi dhe shkëmbimi me KEK-un e Kosovës. Apo dhe iniciativa dhe ndryshimi që kemi bërë në mënyrën e operimit, duke caktuar KESH-in, si i vetmi operator me detyrim shërbimi, duke i dhënë të gjithë peshën dhe të prodhuesit dhe të tregtuesit, që na ka sjellë dhe optimizim financiar. Shpesh thuhet se ka shitur me aq, ka blerë me kaq. Nëse të gjitha operacionit, do të vëzhgoheshin se janë transparente janë online, ajo që ne bëjmë është që blejmë energji me çmim më të ulët dhe shesim energji, po të njejtën ditë me çmim më të lartë. Nëse nuk gabohem, operacioni i fundit ka qenë të premten, dhe për çdo megawat/orë është fituar rreth 70 euro, çka na bën të blejmë sasi të reja energjitike, me paratë që janë përfituar nga optimizimi financiar.
Dicka tjetër që po synojmë, por që ha diskutim në këto momente, është lidhja e kontratave afatgjata e cila na siguron dhe sasitë energjike, por dhe një çmim më të mirë të ndarë në disa vite. Por për momentin është shumë e vështirë në treg.
Me çfarë çmimi do të përfitohet energjia nga këto dy anije?
Çmimi, duke patur parasysh se prodhimi realizohet përmes naftës, por duhet të them që kanë mundësi konvertimi në gas, dhe kur do të kemi furnizim me gaz të lëngshëm amerikan në Portin e Vlorës, ato do të kalojnë menjëherë me gas.
Për momentin do prodhojnë me naftë dhe mesatarisht, çmimi varet nga tregu i naftës, në tregun ndërkombtar dhe jo atë në Shqipëri. Ne kemi bërë një sërë tratativash me kompanitë më të mëdha në botë, si Adnoc i Emirateve të Bashkuara, apo Aramco saudite. Kështu që ne përllogarisim një çmim nga 170 deri 200 euro, që karahasuar me 1040 që është sot në treg, është një arritje shumë e madhe dhe ne mezi presim që të futemi në prodhim./voa