Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pas mbledhjes së PD-së i ka bërë sërish thirrje SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë për të çuar para përgjegjësisë ata që abuzojnë me pushtetin dhe vjedhin pasuritë e shqiptarëve.
Basha tha se këtë javë PD do të dorëzojë në SPAK kallëzimin për çështjen e energjisë.
“Si përfundim një thirrje edhe njëherë për institucionet e drejtësisë. Jeni para shumë testesh, por ky është një nga testet kryesore. Është e shkruar e zezë mbi të bardhë që kjo është një krizë korrupsioni dhe jo një krizë energjie. Faktet janë publike, ne do të sjellim kallëzimin në SPAK brenda kësaj jave, thjesht dhe vetëm për t’iu hequr çdo alibi atyre që kërkojnë alibi. Ata që paguhen me rroga të larta nga taksapaguesit shqiptarë, që iu paguhen fluturimet në Amerikë dhe në vende të tjera të Evropës për t’u trajnuar sipas praktikave bashkëkohore të FBI-së apo drejtësisë europiane apo amerikane; që mbajnë pas vetes eskorta të shtrenjta oficerësh të gardës; që iu paguhet celulari, nuk janë aty për asgjë tjetër, përveçse për të bërë detyrën e tyre para taksapaguesve shqiptarë. Ta kuptojnë në çdo minutë që janë të rrethuar nga komoditeti i zyrës dhe i favoreve të zyrës se ajo zyrë është krijuar për një funksion, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të çuar para drejtësisë zyrtarët e lartë që abuzojnë me pushtetin dhe që vjedhin pasuritë e shqiptarëve”, tha Basha.
/Priza.al/