Për shkak të situatës dramatike në kufijtë e jashtëm të BE, kancelarja në detyrë, Angela Merkel i ka kërkuar presidentit rus Vladimir Putin që të ndërhyjë në krizën e migracionit në kufirin Bjellorusi-Poloni në një apel për sponsorin kryesor të huaj të Minskut.
Sipas zëdhënësit të qeverisë gjermane, Steffen Seibert, Merkel i ka thënë Putinit se “instrumentalizimi i emigrantëve” nga Bjellorusia është johuman dhe i papranueshëm. Ajo i është drejtuar Putinit që të influencojë në këtë krizë ndaj regjimit autoritar të Lukashenkos.
Biseda erdhi vetëm disa orë pasi kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, akuzoi Putinin për “kontrollimin” e krizës në kufirin e Bjellorusisë me BE-në.
Polonia dhe Lituania kanë shpallur një gjendje të jashtëzakonshme në kufijtë e tyre me Bjellorusinë, ku Aleksander Lukashenko është akuzuar për transportimin e azilkërkuesve nga Lindja e Mesme në kufijtë e BE-së, si hakmarrje për kritikat e bllokut për goditjen ndaj opozitës
Kremlini kishte fajësuar më parë BE-në për krizën e emigrantëve në kufirin polak-bjellorus, duke thënë se BE po dështon në respektimin e vlerave të saj humanitare. Por BE dhe qeveria polake akuzojnë pushtetmbajtësin bjellorus, Aleksander Lukashenko, se po lejon qëllimisht fluturime të njerëzve nga zonat e krizës për t’i kontrabanduar ata në BE. Gjendja në kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë mbetet e tensionuar.
/Burimi: The Guardian/ Përshtati: Priza.al/