Qeveria gjermane do të miratojë së shpejti një pako të tretë ndihmash për lehtësimin e qytetarëve nga kriza aktuale.
“Jemi duke punuar për një konstrukt të ri lehtësimesh të mëdha”, tha kancelari Scholz të mërkurën para gazetarëve në Brandenburg, në Kështjellën Meseberg, ku ishte zhvilluar takimi këshillues mes tre partive të koalicionit.
Ministri i Financave, Christian Lindner, i partise liberale, FDP, e quajti një “pako të fuqishme” dhe gjithëpërfshirëse. Ai tha se do të ketë mbështetje financiare për të disfavorizuarit. Por ministri shtoi se pakoja do të përmbajë edhe mekanizma që shmangin spekulimet me çmimet e energjisë.
Bileta mujore 9 euro skadon
Megjithë pyetjet e gazetarëve, as Lindner, as Scholz e as ministri i energjisë Habeck, nga partia e te gjelbërve, nuk dhanë hollësi për masat që do të përmbajë pakoja e tretë. Ajo pritet të miratohet nga mesi i shtatorit.
Nuk dihet as edhe se a do të përfshihet sërish bileta mujore e transportit publik prej vetëm 9 euro. Ministri federal i financave, Christian Lindner, tha se po shqyrton aktualisht mundësinë e financimit të një bilete të tillë me çmim të reduktuar, por kërkoi që një pjesë e biletës të financohej edhe nga landet.
Bileta mujore prej 9 eurosh ishte masë e pakos s dytë lehtësuese që qeveria mori si pasojë e rritjeve të çmimeve, shkaktuar kryesisht nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës. Ndërkohë qeverisë po i kërkohet nga shumë politikanë dhe personalitete të njohur, aktivistë e ambientalistë, që ta bëjë të përhershme masën e biletës 9 euro, e cila skadoi më 31 gusht.