Presidenti i Ukrainës, Volodmyr Zelensky ka njoftuar se të korrat e vendit të tij këtë vit rrezikojnë të jenë sa gjysma e sasisë së zakonshme për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Zelenksy vuri në dukje se ende po punohet për të gjetur një mënyrë për të transportuar grurin përmes rrugëve alternative.
“Qëllimi ynë kryesor është të parandalojmë një krizë globale ushqimore të shkaktuar nga pushtimi rus”, tha Presidenti Volodymyr Zelensky në një postim në rrjete sociale.
Ukraina, një nga furnizuesit kryesorë të grurit në botë po përballet me vështirësi të mëdha në dërgimin e produkteve të saj tek blerësit për shkak të bllokadës detare ruse të porteve ukrainase të Detit të Zi.
Sjellim në vëmendje se më 22 korrik u nënshkrua një marrëveshje, e mbikëqyrur nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia, që parashikonte kalimin e sigurt të anijeve që transportonin grurë nga tre porte në Ukrainën jugore.