Shteti i Kroacisë beson se një pjesë e jetës publike duhet të ndalet për shkak të ndeshjeve të kombëtares gjatë Kupës së Botës që po mbahet në Katar, përcjell Gazeta Express.
Kryetari i Kuvendit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq tha në fund të javës së kaluar se një debat parlamentar për propozim-buxhetin për vitin 2023 është planifikuar për të mërkurën por se do të ketë pushim nga ora 11:00 deri në 13:00 për shkak të ndeshjes së futbollit ndërmjet Kroacisë dhe Marokut.
Disa deputetë ishin të pakënaqur dhe Jandrokoviq u tha atyre të bënin diçka tjetër në atë kohë. “E di që shumica dërrmuese e përfaqësuesve shikojnë futboll, kështu që është më mirë kështu sesa të kemi një parlament bosh”, tha Jandrokoviq.
Megjithatë, ndeshjen nuk do ta ndjekin vetëm deputetët, por edhe nxënësit do ta bëjnë këtë gjatë orëve të mësimit. Këtë e ka konfirmuar ministri i Shkencës dhe Arsimit, Radovan Fuchs. Ai thotë se ndeshjet do të mund të shikohen edhe nëpër shkolla nëse shumica janë pro, raporton agjencia kroate e lajmeve, Index.
Fuchs theksoi se orët e humbura për shkak të ndeshjeve do të duhet të kompensohen. Më pas ai ka deklaruar për gazetën Jutarnji se ndjekja e ndeshjeve do të ishte e mundur nëse do të pajtoheshin drejtorët, mësimdhënësit dhe nxënësit, gjegjësisht nëse do të kishte konsensus në shkollë.
“Kjo nuk do të thotë që nxënësit të ikin në shtëpi. E theksoj edhe një herë, nëse ka marrëveshje për ta parë ndeshjen në shkollë, atëherë duhet të kompensohen mësimet e humbura. Por është në dorë të shkollave që të vendosin, me kusht që orët të mos humbasin. Ky është thelbi”, tha Fuchs./express/