Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar pasi kryetari i bashkisë së Mallakastrës rezultoi i dënuar në mungesë në Greqi me 3 vite burg për përleshje dhe rrahje me persona të tjerë.
Bardhi u shpreh se një tjetër burgaxhi do të largohet nga qeverisja. Ai nënvizon se me këtë u provua vërtetësia e qendrimit të Partisë Demokratike. Bardhi thotë më tej se Qerim Ismailaj është produkt politik i Edi Ramës, njësoj si mbi 20 kriminelë të tjerë që ai i futi në parlament, i emëroi në bashki dhe vazhdon me ta bashkëqeverisjen.
‘Sot kemi një lajm të mirë! Një tjetër burgaxhi i Edi Ramës do të largohet nga qeverisja. Megjithëse me 1 vit e gjysëm vonesë, u provua vërtetësia e qendrimit të Partisë Demokratike se Kryebashkiaku ilegjitim i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, është i dënuar me burg në Greqi dhe se ai e ka fshehur këtë fakt në formularin e dekriminalizimit.
Qerim Ismailaj është produkt politik i Edi Ramës, njësoj si mbi 20 kriminelë të tjerë që ai i futi në parlament, i emëroi në bashki dhe vazhdon me ta bashkëqeverisjen për të vjedhur pasuritë e shqiptarëve dhe bashkë me to, edhe votën e tyre.
Megjithatë, përballë të vërtetës, Edi Rama është i pafuqishëm për të mbrojtur kriminelët që e sollën në pushtet. Herët apo vonë, edhe ai vetë do të përballet me drejtësinë! E vërteta vonon, por nuk harron!’- shkruan Bardhi.