Kryebashkiaku Veliaj: Miratuam hapjen e çerdhes dhe kopshtit të parë në Astir

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka dhënë sot lajmin e mirë të hapjes së një çerdheje dhe një kopshti në Astir, si dhe dy institucioneve të tjera të arsimit parashkollor në Ndroq. Ai tha se fakti që në Astir, në zgjedhjet e fundit, PS mori mbi 60% të votave, është përgjigja më e mirë për opozitën.

“Bëhet fjalë për të hapur dy institucione për vogëlushët tanë, njëra është në Astir, në lagjen 14, do të jetë çerdhja e kopshti i parë për atë komunitet. U them edhe këtyre shokëve tanë që kemi përballë, ka një arsye pse na voton Astiri në mbi 60%, se Astiri me të drejtë thotë këta që bënë 40 shkolla bëjnë edhe 44, këta që bënë 100 rrugë bëjnë edhe 101. Ata që s’kanë prek gjë me dorë e na lanë pa rruge, pa kanalizime e pa arsim, e sigurt që nuk nxjerrin dot qimen nga qulli. Ndërsa, çerdhja tjetër do të hapet në Ndroq, numri i fëmijëve në Astir do të jetë 126 fëmijë, në Ndroq 41,” deklaroi Veliaj në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak.

Veliaj, në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak i është përgjigjur opozitës në lidhje me deklaratat se nuk njohin anëtarët e këtij këshilli, duke thënë se ishin ata që i braktisën vendet e tyre.

“Kur dëgjoj kundërshtarët tanë, këta non-gratat dhe fuksat e Sigurimit, që thonë se nuk e dimë kush janë anëtarët e Këshillit Bashkiak, kam kohë që pres t’u jap një përgjigje! Them nuk keni si ta dini se ju ikët nga Këshilli Bashkiak. Ju dezertuat! Së pari, detyra e Këshillit Bashkiak nuk është që të njihet, është që të shërbejë. Këtë detyrë e ka kryer më së miri edhe në ditët e pandemisë, edhe kur ishim në karantinë, edhe në ditët e tërmetit, edhe në ditët e inflacionit të luftës që duhet të merrnin shumë vendime për subvencionimet dhe gjithë punët e tjera që bëmë, siç ishte ajo e subvencionimit të abonesë të cilën ne e paguajmë 100% për studentët, si dhe gjysmën e tarifës së konvikteve. Ti nuk mund të njohësh njerëzit nëse ti nuk shërben me ta, nëse nuk punon me ta. Në politikë vendet ku ti shërben janë Këshilli Bashkiak dhe Parlamenti. Nëse ti e braktis këtë detyrë dhe kujtohesh pas katër vitesh dhe thua pse nuk i njoh? Nuk i njeh se nuk ishte aty ku qyteti, vendi kishte nevojë për vendimmarrjen tënde,” deklaroi Veliaj. 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *