Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, gjatë një takimi me qytetarë të Fierit, ka komentuar sërish pagesat që deputetja Monika Kryemadhi ka marrë nga kompani ruse.
Ai u shpreh se Partia Socialiste do t’i shkojë deri në fund dhe do të zbulojë të vërtetën e këtyre pagesave.
Balla tha se Kryemadhi në vend që të kërcënojë mediat duhet t’i japë një shpjegim qytetarëve rreth pagesave të rrjedhura nga kompanitë ruse.
Pjesë nga fjala e Ballës: “Prej sot në çdo lagje të qytetit Fier edhe anëtarët e Këshillit bashkiak të njihen me zgjedhësit e ti kërkojnë besimin. Këto zgjedhje nuk duket të jenë të vështira sa i përket ofertës që kanë para deputetët. Rezultati i 14 majit do të jetë 6 me 0 për Fierin sepse do i japim një përgjigje që i shkon për shtat Metës e Berishës. Socialistët mezi kanë pritur t’i kenë përballë të dy bashkë Berishën e Metën.
Këto ditë opinioni publik është njohur me një fakt që është maja e ajsbergut e një historie financimesh ruse për dyshen Berisha Meta dhe në vend që bashkëshortja e ish-presidentit, deputetja e Fierit të dalë e të sqarojë se nga vijnë këto pagesa dividentësh të të qënurit aksionerë në kompani me përfituesit e pushtetit të Putinit kërcënon se do të padisë mediat.
Gjëja e parë që duhet të bëje një politikan është të dalë para publikut e të sqarojë se si a mundësi që përfituesit e drejtpërdrejtë të Putinit financojnë deputeten e Fierit. Ne nuk do të heshtim, asgjë nuk është e rastësishme nga financimet e Rusisë për Saliun e Metën.”