Tensione ndihen në ajër mes Turqisë dhe Greqisë, ku paralajmërimet nga të dyja palët nuk kanë të ndalur.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis në një deklaratë për mediat ka paralajmëruar që Turqia mos të prekë ujërat grek, pasi kushdo që shkel kufijtë sipas tij do të dënohet.
“Ujërat tona nuk do të preken. Kufijtë tanë janë blu dhe jo gri. Grekët mbyllin veshët para kërcënimeve, duke dëgjuar vetëm zërin e drejtësisë dhe historisë. Kushdo që shkel kufijtë, në fund dënohet. Shekulli 21 nuk i përshtatet vizioneve perandorake të epokave të tjera. Askush nuk duhet të ndërhyjë në mënyrën se si Greqia do të organizojë mbrojtjen e saj. Ajo që është e rëndësishme sot është gatishmëria vigjilente, është uniteti dhe vendosmëria e palëkundur. Këto janë edhe përgjigjet më të forta që kemi ndaj fjalëve të mëdha të disa të tjerëve.”
Lidhur me deklaratën e Mitsotakis, ka reaguar menjëherë Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu i cili ka paralajmëruar se për aq kohë që Athina nuk zbaton marrëveshjen e çmilitarizimit të ishujve, Turqia do të veprojë.
“Sigurisht, ndërsa Greqia shkel statusin e ishujve të çmilitarizuar në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, ne nuk mund të jemi joaktiv. Si në Egje dhe në Qipro do të marrim masat e nevojshme për të konsoliduar interesat dhe sigurinë tonë dhe për të mbrojtur të drejtat e turqve qipriotë”, tha ai.