Kryeministri i Kosovës foli serbisht? Kurti: Ruajeni qetësinë, besojuni institucioneve

Pas protestës së serbëve të Kosovës, të mbajtur sot në Mitrovicë Veriore dhe Graçanicë, kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ka bërë apel që të ruhet qetësia.
Ai, nëpërmjet një videoje, të publikuar në Facebook, në gjuhën serbëve u është drejtuar qytetarëve serbë të Kosovës, duke thënë se suspendimi i gjyqtares serbe në veri, nuk është marrë nga ai.
Ai ka thënë se për suspendimin e Liliana Stefanoviq ka marrë vesh nga mediat.
Kurti ka kërkuar nga serbët e Kosovës që të mos i besojnë Beogradit, pasi që askush në institucionet beogradase, nuk brengoset për të drejtat dhe mirëqenien e tyre, por për përfitimet e veta elektorale.
Një arsye tjetër pse Beogradi do destabilizimin e Kosovës, ka thënë Kurti, mund të jetë për shkak të interesave luftëndjellëse të ndonjë fuqie të madhe, duke aluduar në Rusinë.
Deklarata e plotë e Kurtit:
Për qeverinë që udhëheq unë ndarja e pushteteve është parim demokratik. Në asnjë mënyrë nuk mund të ndikojmë në vendimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Për suspendimin e gjyqatres Liliana Stevanoviq mora vesh nga mediat, e kjo megjithatë do të thotë se ajo nuk është larguar nga puna.
Unë angazhohem për drejtësi dhe të drejtën, por unë nuk jam kryesues i Këshillit Gjyqësor, e as anëtar. Ju falënderohem qytetarëve për mënyrën paqësore të të protestuarit. Në shoqërinë demokratike dhe shtetin ligjor njerëzit duhet të jenë të lirë të shprehin publikisht mendimet dhe qëndrimet e tyre.
Por, më duhet të them, do të ishte më e besueshme po që se do të protestonim, p.sh për drejtësinë sociale, zhvillimin më të shpejtë dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit të organizuar. Ju lutem që të mos ndikoheni nga regjimi autoritar në Beograd.
Atyre nuk u interesojnë të drejtat dhe përfitimi i serbëve në Kosovë. Ata përpiqen ta destabilizojnë Kosovën për qëllimet e tyre zgjedhore e ndoshta edhe për interesat luftëndjellëse të ndonjë fuqie të madhe.
Prandaj, qytetarë të dashur, ju ftoj që ta ruani qetësinë dhe të besoni më shumë te Qeveria e Kosovës. Rritja ekonomike, lufta kundër korrupsionit, rritja e eksporteve, të ardhurat nga tatimet dhe doganat, rritja e investimeve të huaja dhe direkte dhe e buxhetit të shtetit na japin shpresë neve që jetojmë këtu.
Ne jemi të përkushtuar për avancimin e të drejtave dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo fetare.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *