Takimi i ardhshëm mes Kryeministrit Kurti dhe Presidentit serb do të ndodhë më 2 maj, në Bruksel. Veçse është bërë e ditur që në takimin e parë flitet për Asociacionin.
Pas marrëveshjes së Ohrit më 18 mars, Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti serb, Aleksandër Vuciq, do të takohen për të diskutuar rreth zbatimit të saj, në fillim të majit.
Më 4 prill ka pasur një takim të nivelit të dialogut teknik mes zëvendëskryeministrit kosovar, Besnik Bislimi dhe zyrtarit serb, Petar Petkoviq.
Bislimi ka thënë se në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë, pra në atë mes Kurtit dhe Vuçiqit, do të prezantohet një draft i statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, të cilin e hartojnë i ashtuquajtur Ekipi Menaxhues, që udhëhiqet nga deputetja serbe, Danijela Vujiçiq.
“Propozimi ka qenë që të prezantohet [draft-Statuti i Asociacionit] më 22 prill. Meqë Serbia ka thënë se Vuciqi nuk mund të vijë, kemi mbetur të dakordohemi për një datë alternative, por do të jetë në prill”, ka deklaruar Bislimi më 5 prill.
Pas takimit të 4 prillit, Bislimi tha se në Bruksel janë pajtuar për pesë kriterët, sipas së cilave duhet të jetë Asociacioni. Ato, sipas Zv.kryeministrit, “janë pesë siguresa të mjaftueshme që tregon se ky mekanizëm apo ky lloj vetëmenaxhimi nuk ka asgjë nga ajo që ne e kemi quajtur Zajednica“.
Megjithatë, Petkoviq, tha se “kjo është një gënjeshtër e pastër e Bislimit” dhe se në Bruksel nuk u përmendën “pesë kriteret për Asociacionit”. Zyrtari serb tha se në takim është folur për statutin e Aociacionit dhe Ekipin Menaxhues.
“Pas kaq vitesh sot diskutuam për herë të parë hapat më konkretë për formimin e Asociacionit në kuadër të takimit tripalësh. Më saktësisht, çfarë duhet të bëjë ekipi menaxhues e në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, është e qartë se hapi i parë është prezantimi i statutit”, ka thënë Petkoviq më 4 prill.
Në takimin e fundit në Ohër, Kurti dhe Vuçiq janë dakorduar për Planin e Zbatimit të Marrëveshjes Bazë, e cila është arritur më 27 shkurt, sipas Propozimit Evropian.Gazeta Ekspress