Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim live me qytetarët në “Facebook”, ka folur për sistemin e drejtësisë dhe 21 janarin. 21 janari dhe Gërdeci u cilësuan si dy tragjedi shtetërore, që duhen hetuar, por e gjitha do kohën e saj.
Kreu i qeverisë theksoi më tej se Reforma në Drejtësi është ende në proces e sipër dhe në hapat e parë dhe për të parë rezultate më të mëdha duhet ende kohë.
“Po pastrohet llumi në sistemin e drejtësisë. Ai llum, që kanë shitur e blerë të drejtën sipas qejfit. Vettingu vazhdon, llumi nuk mbaron. Ka prej tyre se ku vjen dita e Vettingut ikin vetë, nuk paraqiten fare sepse kanë mbaruar pazaret. E gjitha kjo neveri duhet duruar, duke shtrënguar dhëmbët e vazhduar punën me durim. Ne kemi vendosur gurin e themelit para 5 vitesh. Çfarë janë 5 vite në historinë e një vendi? Në historinë e atyre vendeve që ne i referohemi për drejtësisë hetimet e para jepeshin den baba den në kohën që ne nuk ishim shtet, ishim provincë në Perandorinë turke. Pse po i them këto? I them sepse sot është një ditë më e mirë se sa një vit më parë. Sot nuk jemi në kushtet ku ishim të etur për të parë drejtësinë që të niste të funksiononte. Fola për vettingun, por sot është rihapur Gërdeci. Një nga dy kapakët e rëndë të dy vrasjeve shtetërore. Lere se ca thotë njëri e tjetri.
Dy vrasje shtetërore, që ndodhën për shkak të krimit shtetëror. Është rihapur ai Gërdeci që iu vendos një kapak. Është rihapur dhe sot po hetohet e po bëhet nga SPAK-u. SPAK-u nuk është FBI apo strukturë e ngjashme në vende ku këto struktura funksionojnë që prej kohësh kur ne që po flasim këtu s’kishim nisur. Është një foshnjë që ka nisur të belbëzoje. Kjo është rruga dhe jam i bindur që fjala drejtësia vonon, por nuk harron, ka kuptim të qartë. Duan apo nuk duan, nuk ka mundësi tjetër apo rrugë. Do të doja që Reforma në Drejtësi të ecte shumë më shpejt, po realisht a mund të ecte? Nuk e di, sepse është një proces. Shumë i ngjashëm me rritjen e një fëmije”, tha Rama.
/Priza.al/