Kryeminsitri Edi Rama komentoi edhe mënyrën se si do të procedohet me marrëveshjet e firmosuar në ‘Open Balkan’, për t’u integruar mes shteteve.
Ndër të tjera, Rama tha se nëse anëtarësohemi në BE nuk kemi nevojë më për të patur Open Balkan sepse do të jetë gjë e realizuar, pra Ballkani do të jetë i hapur.
Pjesë nga Intervista:
A do ta institucionalizoni Open Balkan sipas stilit te BE? Dmth do te ketë traktat themelues? Seli?
Nuk është e nevojshme kjo sepse ne mendojmë që Ballkani i Hapur është një vision, që është vizioni i Procesit të Berlinit dhe njëkohësisht është edhe një njësi zbatimi e projektit të procesit të Berlinit që ka mbetur në letër për shumë vite pikërisht sepse s’ka pasur kontinuitet të përditshëm, të përjavshëm, të përmuajshëm dhe arsyeja pse ne po takohemi në mënyrë periodike është pikërisht që t’i japim kontinuitet procesit të Berlinit dhe ta bëjmë atë të zbatueshëm. Dhe ne mjafton që të zbatojmë ato objektiva që janë vendosur duke patur parasysh nevojën për të jetësuar katër liritë e Bashkimit Europian ne Ballkan dhe e kemi kryer punën. Nuk është se jemi duke synuar krijimin e një entiteti siç është Bashkimi Europian. Ne jemi vende që duam të hyjmë në Bashkimin Europian dhe nuk duam të krijojmë një entitet parallel me të. Ne jemi entitete të pavarura që kanë nevojë të ndërveprojnë me njëra-tjetrën në funksion të jetës ekonomike dhe sociale të vendeve të tyre. S’ka nevojë për të patur një entitet në formën e njëtraktati.
Nëse anëtarësohemi në BE a do të ketë më ‘Open Balkan’?
Po i gjithë Bashkimi Europian është një “Open Space”, kështu që nëse ne anëtarësohemi në BE nuk kemi nevojë më për të patur Open Balkan sepse do të jetë gjë e realizuar, pra Ballkani do të jetë i hapur.
Përsa i takon marrëveshjeve që do të firmosen do të kalojnë ato në Parlament?
Nuk janë marrëveshje të natyrës së traktateve, por janë marrëveshje të natyrës administrative. Që do të thotë: në rast se ne marrim vendimin që të njohim reciprokisht dokumentat që lëshojnë autoritetet e ndryshme, agjencitë e ndryshme për eksportuesit, kjo është një marrëveshje ndërqeveritare dhe nuk është një marrëveshje që kërkon ndërhyrjen e parlamentit. Në rast se bëhet fjalë për ligje që kanë nevoje të ndryshojnë për shak të lejeve të punës, ne nuk kemi, por për shembull Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë duke ndryshuar ligjin për ta bërë me të lehtë dhënien e lejeve të punës.
A mendoni se ka shance të bëhet pjesë Kosova me Kurtin kryeministër në Open Balkan?
Nuk është çështje personash, unë kam respekt për Albin Kurtin. Ne mendojmë ndryshe por unë e respektoj Albin Kurtin për shumë arsye dhe natyrisht fakti që Albin Kurti mendon ndryshe nga unë, nuk e bën Albin Kurtin më pak të respektueshëm. Ai mendon ndryshe, në këndvështrimin tim mendon gabim për këtë, por është e drejta e tij të gabojë sepse ka marrë mandate edhe për të patur të drejtën të gabojë. Unë nuk e lidh këtë me persona, por unë di këtë që nuk ka asnjë rrugë tjetër për vendet e rajonit për t’u përfshirë në këtë nismë në rast se janë të sinqertë kur thonë se ne përkrahim Procesin e Berlinit. Ky është procesi i Berlinit. Nuk ka proces tjetër. Është një proces ku bëhet një samit i përvitshëm, vendosen disa objektiva dhe detyra dhe këto detyra duhen zbatuar. Dhe mbetën pa zbatuar sepse vendet rrinin e prisnin kur do na mbledhin prapë, ata atje, vitin tjetër. Ndërkohë që midis dy samiteve ka një punë për të bërë dhe Open Balkan është të bëjmë punën për të cilën biem dakord në Procesin e Berlinit. Nëse Albin Kurti apo kryeministri i Malit të Zi apo ata të Bosnjes të më tregojnë një pikë, një, që është në Ballkanin e Hapur dhe nuk është në Procesin e Berlinit atëherë unë jam gati ta rishikoj të gjithën. Por nuk e gjejnë dot. S’ka asnjë.
/Burimi: BW/