Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka ka folur në cilësinë e kryetares së Komisionit të medias duke u solidarizuar me sulmin në televizionin “Top Channel”. Aty humbi jetën roja e sigurisë, Pal Kola. Açka u bëri thirrje institucioneve, ministrit Çuçi e kryeministrit ta marrin seriozisht këtë ngjarje të rëndë dhe terroristët të vihen para drejtësisë. Ajo i kërkoi kreu të qeverisë të marrë ‘seriozisht këtë çështje’
Pjesë nga fjala e Açkës: “Në mbështetje të ndjeshmërisë së lartë publike të ardhur pas sulmit kriminal me armë zjarri mbi median kombëtare TOP Channel, ku mbeti i vrarë punonjësi Pal Kola, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, grupi i deputetëve të Opozitës në Komisionin Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik, njëherësh me ngushëllimet e thella për familjen e të ndjerit, shpreh shqetësimin e shtuar se akte të tilla, të paralajmëruara më herët me akte të veçanta e sporadike të dhunës ndaj gazetarëve, disa prej tyre edhe të vetë kësaj medieje, mund të parathonë një stinë të vështirë elektorale ku po hyjmë.
Në të gjitha rastet e përsëritura të ngjashme, edhe pse jo të këtyre përmasave, Opozita e ka ngritur zërin me shqetësim për një investigimin të plotë dhe nxjerrjen para drejtësisë së fajtorëve, duke denoncuar apatinë e plotë të organeve kompetente në zbardhjen e çështjeve të tilla. Tani jemi dy ditë më pas dhe nuk kemi asnjë informacion se çfarë po ndodh me gjetjen e terroristët dhe vrasësit e një shqiptari të pafajshëm në vendin e tij të punës.
I bëjmë thirrje Kryeministrit shqiptar, t’i lërë sarkazmat me të dehur e sarhoxhë që shëtisin me kallashnikovë netëve shqiptare në gjueti për terror, dhe ta marrë seriozisht këtë ngjarje të frikshme. Mjafton t’i kujtojmë Kryeministrit shqiptar të shkujdesur dukshëm me krimin, se mjafton djegia e makinës diku për të humbur gjurmët, për të kuptuar skenarin dhe të gjithë regjizurën e banditëve të pastër. Sigurisht, një Kryeministër që bën vetë terror me tritol ditën për diell, ditën e festave, në zenit të verës në mes të plazhistëve, vetëm e vetëm të dëshmojë forcën e pushtetit, vetëm e vetëm të dëmtojë asetet e një medieje që ai nuk e kontrollon dot, e trajton si një shaka dhe lojë luftash barabitjen e krimit me shtetin, pse jo edhe duke e konkurruar atë plotësisht.
Ne i bëjmë thirrje edhe politikës shqiptare, segmenteve të caktuara të saj, të ndalin gjuhën, shpesh shumë të ashpër, shpesh me doza agresive, shpesh plot shpifje e shantazhe, që nuk bëjnë gjë tjetër, veç i krijojnë një parajsë publike dhe një mjedis perfekt për frymëzimin e krimit dhe dhunës në shoqërinë shqiptare.
Si pjesë e një komisioni shumë të rëndësishëm parlamentar që drejtohet nga Opozita, grupi i deputetëve të Opozitës në Komisionin Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik u bën thirrje edhe disa analistëve politikë dhe me autoritet, të ndalin thirrjet e tyre publike për dhunë ndaj asaj që ata paracaktojnë me paragjykim si pjesë e madhe apo e vogël e Opozitës shqiptare. I bëjmë thirrje AMA-s të monitorojë me seriozitet të lartë rastet e shpeshta të kësaj natyre, në të cilat janë shfaqur ftesat publike për ndëshkim nga cilido shëtitës e bujtës i televizioneve shqiptare, si akte të një papërgjegjshmërie të lartë dhe nxitëse të përplasjeve në prag të fushatës së zgjedhjeve.”