Presidenti i Sri Lankës, Gotabaya Rajapaksa ka njoftuar dorëheqjen pasi protestuesit hynë në rezidencën e tij zyrtare dhe i vunë flakën shtëpisë së kryeministrit.
As kryeministri dhe as presidenti nuk ishin në ndërtesa në atë kohë.
Qindra mijëra njerëz zbritën në kryeqytetin Kolombo, duke bërë thirrje që zoti Rajapaksa të jepte dorëheqjen pas muajsh protestash për keqmenaxhimin ekonomik.
Rajapaksa do të japë dorëheqjen më 13 korrik. Kryeministri Wickremesinghe ka pranuar të japë dorëheqjen.
Kryetari i parlamentit tha se presidenti vendosi të japë dorëheqjen “për të siguruar një dorëzim paqësor të pushtetit” dhe i bëri thirrje publikut të “respektojë ligjin”.
Njoftimi shkaktoi një shpërthim të fishekzjarreve festive në qytet.
Pas ngjarjeve të së shtunës, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje udhëheqjes së Sri Lankës që të veprojë menjëherë për të zgjidhur krizën ekonomike të vendit.
Një protestuese, Fiona Sirmana, e cila po demonstronte në shtëpinë e presidentit, tha se ishte koha “për të hequr qafe presidentin dhe kryeministrin dhe për të pasur një epokë të re për Sri Lankën”.
“Ndihem shumë, shumë e trishtuar që ata nuk shkuan më herët, sepse po të kishin shkuar më herët nuk do të kishte pasur ndonjë shkatërrim,” i tha ajo.