Një 17-vjeçar është proceduar penalisht në Fier, pasi kryente manovra të rrezikshme në rrugë.
Shtetasi me iniciale E.N., akuzohet për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Sakaq është proceduar penalisht edhe babi i të riut, pasi rezultonte se automjeti drejtohej pa leje.
Njoftimi i policisë:
Bëri drift dhe manovra të rrezikshme në rrugë, identifikohet dhe procedohet penalisht drejtuesi i automjetit, i cili nuk ishte i pajisur me leje drejtimi.
Procedohet penalisht edhe pronari i automjetit (babai i drejtuesit), pasi rezultoi se kishte drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.
Pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, në të cilën shfaqej një automjet tip “Citroen”, drejtuesi i të cilit po bënte drift dhe manovra të rrezikshme, në vendin e quajtur “Rotondo e sharrës”, Fier, shërbimet e Policisë Rrugore Fier bënë të mundur identifikimin e drejtuesit të automjetit.
Në vijim të veprimeve, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin E. N., 17 vjeç, banues në Ndërnënas, Fier, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, pasi ka bërë drift dhe manovra të rrezikshme, me automjetin tip “Citroen”, të cilin e drejtonte pa leje drejtimi.
Gjithashtu, nga hetimet rezultoi se automjeti është drejtuar pa leje drejtimi edhe nga pronari, shtetasi A. N., 53 vjeç, banues në Ndërnënas, Fier (babai i 17-vjeçarit), për të cilin filloi gjithashtu procedimi penal për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.