Kryesuesja e listës së LSI-së për Durrësin, Elona Guri është konfliktuar me një person, për pasojë kanë përfunduar në polici. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30 në lagjen nr.4, Durrës, e ndërsa policia është treguar shumë e rezervuar me dhënien e detajeve lidhur me këtë ngjarje ku është përfshirë kandidatja për deputete. Ajo që bëhet e ditur është se personi me të cilin është konfliktuar Guri, ka inicialet Ç.K.
“Më datë 24.03.2021, rreth orës 14:30, në lagjen nr.4, Durrës, shtetasja E.G., është konfliktuar me shtetasin Ç.K. Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilët kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të dyja palët në konflikt për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë Durrës, vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe të shkakut të konfliktit”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Gishtin si fajtor për këtë ngjarje, Guri e drejton nga qeveria. Ajo ka akuzuar qeverinë se ka instaluar kamera në zyrat e LSI-së me qëllim që të shohin hyrje-daljet, e më pas për t’i kërcënuar ato që mbështesin dhe besojnë te kjo forcë politike.
“Denoncoj një akt të paprecedent që nuk ka ndodhur në 30 vite tranzicion, i bëj thirrje të gjitha organeve që të marrin masa për të gjithë mafien e plehrave, mafien e rilindjes që i harxhojnë lekët me servera, me kamera të vendosura në zyrat e LSI-së të cilët kërkojnë të kërcënojnë njerëzit që vijnë dhe besojnë te LSI për t’i hequr nga puna dhe për t’i shantazhuar, kjo tregon kapitullimin e Rilindjes, e mafias së plehrave, ndaj i bëj thirrje gjithë shqiptarëve, votoni alternativën më të mirë, ju tregoi qytetarinë në fushatë elektorale, kam bërë sot një kallëzim penal në Polici, Prokuroria dhe Policia të mos fshehë provat, por vazhdoni dhe bëni drejtësi”, shprehet Guri.