Ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli e rikthyer së fundmi në parti nga “Rithemelimi” që udhëhiqet nga Sali Berisha, është shprehur se nuk ka asnjë ambicie për të qenë kryetare e PD.
Kujtojmë që PD po përgatitet për zgjedhjen e kryetarit të ri dhe ka nisur afati i kandidaturave që do të mbyllet ditën e nesërme.
Në një intervistë për “KlanNeës”, Topalli u shpreh se një gjë të tillë nuk e ka menduar kurrë gjatë jetës së saj politike.
Jo nuk e kam menduar asnjëherë në jetën time për t’u bërë kryetare e partisë. Unë kam menduar gjithmonë që të them të vërtetat të një realiteti që kjo forcë politike ka kaluar gjatë këtyre tre dekadave. Ka një histori dhe një trashëgimi shumë të veçantë për të cilën nuk ka pse mos të jemi krenarë, ashtu sikurse ka kaluar 10 vitet e fundit, vite që nuk e nderojnë atë,”- u shpreh Topalli.
Po ashtu, Topalli shtoi se nuk ka menduar asnjëherë as për postet e tjera në parti, edhe pse rikthimi i saj në Kuvendin Kombëtar të 30 prillit i riktheu shumë emocione.
“Jo, jo! Nuk e kam menduar një gjë të tillë. E kam thënë dhe e përsëris prapë. Qoftë nga historia personale kam mësuar se nuk është nevoja për të qenë në poste drejtuese apo për të qenë në parlament për të bërë beteja apo për të thënë disa të vërteta për të cilat shumë gjatë dhe shumë njerëz kanë heshtur. Unë kam thënë do vijoj të jem vetja ime, dhe do vazhdoj të jem vetja ime, sigurisht një mbështetëse e patundur e besimeve të atyre parimeve që i kam thënë prej kohësh. Ngritja në këmbë e sallës gjatë Kuvendit kur unë u ngrita me shumë emocion të them të drejtën ka qenë gjëja më unike që kam përjetuar ndonjëherë,”– tha Topalli.