Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Durrësit, ka treguar platformën me anë të së cilës ai pret që të dalë fitues për drejtimin e qytetit.
Sipas tij, investimet e mëdha që janë bërë së fundmi në qytetin bregdetar si Velieria apo porti i ri që pritet të ndërtohet, nuk janë as në shërbim të qytetarit dhe as të vetë qytetit. Përkundrazi, Cara thotë se investime të tilla i shërbejnë vetëm ish-kryebashkiakut Vangjush Dakos, apo qeverisë.
I pyetur për akuzat që i janë bërë si një kandidat për bashkinë që shkon kundër zhvillimit, Cara u shpreh:
“Nëse do të më thonë se investimi te Veliera e Durrësit, është zhvillim për Durresin? Nuk do të mendoja kështu. Është një objekt që nuk i vlen kurukujt. Këta thonë nën pretekstin e marinës detare, të bëjmë atë korrupsionin e madh, që janë të vetëdijshëm edhe durrsakët…Porti i ri do të behët me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Çfarë fiton Durrësi? Asgjë, zero lekë.”
Kandidati i “Bashkë Fitojmë” premtoi se në drejtimin e tij, bashkia do të jetë një derë e hapur, në funksion të qytetarëve. Igli Cara premtoi po ashtu edhe të çojë shërbimet thelbësore te qytetari, në çdo zonë të bashkisë.
Cara hodhi akuza edhe ndaj rivales së tij në garën për bashkinë, kryetares aktuale Emiriana Sako. Sipas tij, ajo është thjesht një “vegël” në duart e ish-kryebashkiakut Dako.
“Kryetari real i bashkisë është Dako. Të gjithë e dinë që është kryetari real edhe në këto 4 vite të kaluara. Kemi marrë para nga BE. Kush mban përgjegjësi që nuk është mbyllur procesi i rindërtimit? Paratë e rindërtimit i kaluan për hidrovorin e Durrësit.”
Ndërsa, i pyetur për komentet e Ramës, i cili e ka cilësuar si djalë të mirë, Cara tha:“Nuk do të hy kurrë në diskursin e tij të batutave. Nuk dua të bëhem pjesë e lojës së tij, por dua të jem pjesë në garë për qytetin e Durrësit. Duhej të bënte menaxhimin dhe atë nuk e ka bërë.”/A2CNN