Nga Tim Brinkhof
Evropianët nisën të shkonin për pelegrinazh në Jerusalem pas Kryqëzatës së Parë të nisur në vitin 1099, e cila u zhvilluar jo vetëm për të rimarrë nën kontroll Tokën e Shenjtë nga pushtimi islamik i Levantit, por edhe për të krijuar një rrugë tokësore për të krishterët që donin të vizitonin vendlindjen e besimit të tyre fetar.
Por edhe pas krijimit të këtij shtegu, vizita të tilla shoqëroheshin me jo pak rreziqe. Nëse gjithçka shkonte mirë, udhëtimi nga Italia në Jerusalem zgjaste për rreth 2 muaj. Pra po aq kohë sa iu desh emigrantëve anglezë që të mbërrinin në Nju Jork gjatë epokës koloniale.
Por zakonisht, pelegrinazhet zgjasnin më shumë sesa 2 muaj, sepse pelegrinët e ngadalësonin udhëtimin për shkak të luftës, sëmundjeve dhe grabitësve, kërcënime që vetëm sa shtoheshin sa më larg shtëpisë që ishin. Grabitjet ishin një dukuri e zakonshme, dhe kjo për arsye të kuptueshme.
Pelegrinët duhej të kishin me vete para të mjaftueshme për të paguar ushqimin dhe strehimin gjatë rrugës. Por ata ishin në përgjithësi të paarmatosur dhe të pa trajnuar për të luftuar në rast rreziku. Dhe kjo i shndërronte ata në objektivin e përsosur të hajdutëve.
Gjithsesi, për shumicën e pelegrinëve evropianë, grabitja ishte një rrezik që ata duhej të merrnin në sy, në rast se dëshironin që të shkonin në vendin ku besohej se ishte kryqëzuar dhe ringjallur Jezu Krishti. Megjithatë, udhëtarët britanikë kishin një mundësi për ta minimizuar atë rrezik.
Në Londër, ekzistonte një organizatë e njohur si Kisha e Tempullit, ku pelegrinët mund të depozitonin një pjesë të kursimeve të tyre. Në këmbim, atyre iu jepej një letër në formën e çekut të sotëm, të cilën mund ta përdornin për të tërhequr kursimet e tyre pasi të mbërrinin në Jerusalem.
Shërbimet e Kishës së Tempullit e bënë shumë më të sigurt pelegrinazhin në Tokën e Shenjtë. Tani pelegrinët nuk kishin më nevojë të mbanin me vete shumë para kur niseshin për udhëtimin e tyre, duke zvogëluar mundësinë e joshjes së grabitësve për t’i sulmuar.
Për më tepër, nëse do të grabiteshin, ata do të ishin në gjendje të rimbushnin financat e tyre në destinacionin e tyre. Për këtë arsye historianët shpesh i referohen organizatës si banka e parë në botë. Nëse shihet në këtë qasje, ajo i paraprin në kohë edhe bankës italiane “BancaMonte dei Paschi di Siena”. Koncepti i Kishës së Tempullit për lëshimin e një çeku nuk ishte krejtësisht origjinal, pasi që në shekullin e VII të Erës Sonë, tregtarët kinezë mund të depozitonin pasurinë e tyre tek disa agjenci në këmbim të letrave me vlerë.
Dallimi kryesor ishte se këto agjenci ishin në varësinë e qeverisë kineze të dinastisë Shang, ndërsa Kisha e Tempullit ishte një ndërmarrje private.
Themeluesit e Kishës së Tempullit nuk ishin askush tjetër veçse legjendarët Kalorësit Tempullarë. Të njohur edhe si Bashkëluftëtarët e varfër të Krishtit dhe Urdhri i Tempullit të Solomonit, Tempullarët ishin një nga disa urdhrat ushtarakë të krishterë që u ngritën në të gjithë Evropën për të siguruar shkuarjen e sigurt të pelegrinëve në Jerusalem.
Urdhri u themelua diku rreth vitit 1118 pas Kryqëzatës së Parë, dhe anëtarët e tij luftuan në urdhrat që u themeluan më vonë si një forcë elitare. Midis betejave, ata ndërtuan dhe drejtuan fortifikime në të gjithë qytetin. Ajo ishte një mënyrë për të forcuar praninë e të krishterëve evropiane në Tokën e Shenjtë.
Por Kalorësit Tempullarë nuk ishin vetëm luftëtarë të shkëlqyer, ata ishin edhe financierë të zgjuar, duke luajtur një rol kyç në evolucionin e sistemit financiar të Evropës. Por pse Tempullarët në Londër u bënë bankierë? Në artikullin e saj “Marrëdhëniet financiare të kalorësve tempullarë me kurorën angleze”, studiuesja Elenor Ferris spekulon se shërbimet financiare të këtij urdhri mund të kenë lindur nga “praktika e zakonshme mesjetare e depozitimit të objekteve me vlerë në vende të shenjtëruara për siguri gjatë kohërave të trazuara”.
Vetë Kisha e Tempullit ishte një ndërtesë shumë e fortifikuar, e ndërtuar nga inxhinierë të aftë, e mbrojtur nga ushtarë shumë të trajnuar, dhe e vendosur në një nga vendet më strategjike të qytetit. Pra ishte një kasafortë e përsosur. Shërbimet financiare të Kalorësve Tempullarë nuk ishin të disponueshme vetëm për pelegrinët e krishterë, por edhe për publikun e gjerë.
Ferris përmend se “të gjitha kategoritë e personave që zotëronin pasuri” iu drejtuan Kishës së Tempullit për të ruajtur arin, argjendin dhe bizhuteritë e tyre gjatë shekullit XIII- të. Lista e klientëve të këtij urdhri përfshinte edhe fisnikërinë angleze, e cila ruante atje taksat dhe detyrimet feudale përveç pasurisë së tyre personale.
Por edhe vetë Papa depozitoi atje shumë nga pasuria e Vatikanit. Dhe gjatë kryqëzatave, ai kërkoi grante për të mbrojtur Tokën e Shenjtë nga pushtuesit myslimanë. Përveç ruajtjes së pasurisë për klientët individualë, “Western Union” i Evropës Mesjetare gjithashtu mund të transferonte fonde nga llogaria e një personi në atë të një tjetri.
Kështu në një rast, Kalorësit Tempullarë morën 40.000 marka nga Fallks dë Brote, një ushtar në shërbim të mbretit anglez Xhon. Kur Dë Brote u internua për shkak të organizimit të një rebelimi të pasuksesshëm, Tempullarët ia dorëzuan paratë e tij mbretërisë angleze. Pesë vjet më vonë, ata transferuan në llogarinë e princit të kurorës Eduard rreth 10.000 marka që u ishin depozituar nga nënshtetasit e tij. Kisha e Tempullit nuk mund të ishte themeluar pa kryqëzatat, kërkesat financiare, logjistike dhe ushtarake, të cilat nxorën në pah kufizimet e strukturës kryesore ekonomike të Evropës: sistemin feudal.
Sipas një disertacioni të shkruar nga Ronald Grosman për Universitetin e Çikagos me titull “Financimi i kryqëzatave”, këto kufizime u vunë re për herë të parë gjatë Pushtimit Norman të Anglisë, që ndodhi disa vjet përpara se ushtarët e krishterë të marshonin në Levant. Pushtimi Norman ishte një kryqëzatë në vetvete, pasi Uilliami i Normandisë u kërkoi zotërvetë tij vasalë të marshonin bashkë me ushtarët e tyre në një territor shumë përtej Normandisë. Këta të fundit i thanë monarkut se nuk mund të detyroheshin të merrnin armët, bazuar vetëm në lidhjet e tyre shekullore feudale. Detyrimet e tyre ndaj Uilliam, mbaronte aty ku niste deti. Në këto kushte, Uilliam Pushtuesi u premtoi një sasi të konsiderueshme pasurish nga ishulli që do të pushtonin. Vasalët u bindën, dhe pjesa tjetër është histori.
Ironikisht, përfitimet e mëdha sollën edhe rënien e tyre. Kisha e Tempullit filloi të shkërmoqet në 1244, vit kur Jerusalemi u pushtua nga ushtritë mercenare Kuarazmiane nga Iraku verior. Tashmë që Toka e Shenjtë nuk ishte më nën kontrollin evropian, pelegrinët evropianë pushuan së bëri pelegrinazhe.
Pa pelegrinazhe, ata nuk kishin asnjë arsye që t’i depozitonin kursimet e tyre në Kishën e Tempullit. Kjo bëri që fondet e saj të pakësoheshin gradualisht. Kalorësit Tempullarë rezistuan edhe për disa dekada të tjera pas kësaj pike. Ndonëse kishin humbur një pjesë të madhe të klientelës së tyre, shërbimet e tyre financiare mbetën të disponueshme për qytetarët e pasur dhe anëtarët e fisnikërisë evropiane.
Kjo deri në vitin 1307, kur mbreti francez Filipi IV, i zhytur deri në fyt në borxhe ndaj urdhrit, filloi të arrestonte, torturonte dhe digjte kalorësit tempullarët në Francë, derisa e bindi Papa Klementin V që të shpallte shpërbërjen e urdhrit të tyre në viti në 1312. Por ndërsa vetë Tempullarët nuk janë më sot, trashëgimia e murgjve luftëtarë jeton në të dhënat e kontabilistëve, administratorëve dhe bankierëve të Evropës. /“Big Think”/