Është vënë në pranga një 49-vjeçar, i identifikuar si Gazmir Mediu, pasi po ndërtonte pa leje një objekt dykatësh në një zonë të mbrojtur në Ksamil.
Njoftimi i Policisë:
“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat e mbrojtura, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, gjatë kontrolleve, kanë evidentuar dhe goditur një rast të ndërtimit të paligjshëm, në zonë të mbrojtur, në Ksamil.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë u arrestua shtetasi G. M., 49 vjeç, banues në Dimal, Berat, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi po ndërtonte një objekt dykatësh, pa lejen e organeve kompetente.”– njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.