Bastet sportive do të kthehen përsëri ligjërisht në Shqipëri gjatë vitit 2023, duke operuar online dhe sipas zyrtarëve të MAS-së, me rregulla strikte. Të gjithë ata që duan të vendosin baste, do të regjistrohen me karta identiteti dhe kjo do të ndihmojë edhe në ndalimin e pastrimit të parave që është fenomen i zakonshëm kur operohet me bastet sportive.
“Licencat e këtyre kompanive do të kontrollohen nga shteti shqiptar. Do të ketë edhe kritere për personat që duhet të luajnë dhe kush jo, e sasinë gjithashtu. Çdo person që do të luajë do të jetë i kontrolluar në shumën që do të luajë. Pra, nuk mund të luajë kushdo sa të dojë. Një person që merr x lek në muaj, pagë minimale, ku ka arritur t’i marrë kaq shumë para të luajë në një ditë? Këto të ardhura nga kanë ardhur? Kjo është një mënyrë e kontrollit të parave të pista, të themi” ishin fjalët e Endrit Hoxhës, zv. Ministër i Arsimit dhe Sportit.
Ky i fundit ka siguruar një draft paraprak të hartuar nga MAS dhe ku detajohet se të ardhurat që dalin nga lojërat e fatit, do të shkojnë për investime në sport. Drafti parashikon krijimin e një fondi kombëtar të zhvillimit të sportit nga të ardhurat e nga bastet sportive dhe lojërat e fatit, teksa ky institucion do të monitorojë edhe shpërndarjen e të ardhurave.
“Përfitues të Fondit të Kombëtar për zhvillimin e Sportit janë federatat sportive, klubet sportive, shoqatat sportive, shoqëritë sportive dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, të cilat plotësojnë kriteret në:
Masivitetin e veprimtarisë sportive;
Gjithëpërfshirjes në veprimtari të target grupeve të veçanta;
Pjesëmarrjen dhe rezultatet e arritura në veprimtarinë kombëtare ose ndërkombëtare”, shkruhet në këtë draft.