Kthyen banesën në Call Center, policia jep detajet nga operacioni në Kavajë

Një shtetas 38-vjeçar është vënë në prangat e policisë dhe dy të tjerë janë vënë nën hetim në gjendje të lirë. Tre shtetasit ushtronin në mënyrë të paligjshme aktivitetin e ‘call center-it’.

Në pranga ka rënë Adrian Rrugeja, ndërsa në hetim janë shtetasit me inicialet E. H., 24 vjeç, dhe D. B., 28 vjeç.

Ata kishin marrë me qira një banesë në Kavajë dhe e kishin kthyer në ‘call center’. Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia janë sekuestruar katër kompjuterët, si edhe në ambientet e banesës është gjetur një sasi kanabisi.

Njoftimi i policisë:

Kavajë

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Përshtatja”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Kavajë.

Kishin përshtatur një banesë të marrë me qira, si call center, vihet në pranga 1 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë.

Sekuestrohen 4 kompjutera që përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, që u gjetën në ambientet e kësaj banese.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Përshtatja”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Rr., 38 vjeç, banues në Kavajë dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E. H., 24 vjeç, dhe D. B., 28 vjeç, të dy banues në Kavajë.

Këta shtetas kishin përshtatur një banesë të marrë me qira në lagjen nr. 5, Kavajë, si call center, subjekt i cili ishte i palicencuar dhe me aktivitet të padeklaruar në organet kompetente. Gjatë kontrollit në ambientet e kësaj banese u gjetën të instaluar 4 kompjutera që përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 4 kompjuterat.

Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *