Nga: Klea Balliu
Kur televizioni nuk i shërben më publikut por shpërndan antivlera, promovimi i bullizmit, degradimi i gjuhës së komunikimit dhe formave të ndryshme të dhunës në televizion, janë fenomene të cilat i hasim çdo ditë por situate vijon pa u marrë asnjë masë. Ngjarjet e ndodhura së fundmi në show-t televiziv si: “Big Brother”, “Për’Puthen” dhe jo vetëm, ku dhuna verbale dhe ajo fizike janë të pranishme, kanë një ndikim dhe pasoja negative tek audienca që i ndjek.
Në një intervistë për Priza.al, sociologu Gëzim Tusha shprehet se dhuna verbale është një defekt shumë serioz. Dhuna e cila paraqitet në televizion është një akt që po promovohet dhe ‘legjitimohet’ si rrugëzgjidhje e problemeve. Roli i mediave është të përmirësojnë cilësinë e komunikimit por ndodh krejt e kundërta.
“Dhunës së njohur në shoqërinë shqiptare: fizike, seksuale po i shtohet edhe dhuna verbale, ose dhuna që realizohet nëpërmjet sistemit të komunikimit gjuhësor. Ky është një defekt kulturor shumë serioz. Është një e keqe shumë e madhe dhe e keqja më e madhe është se kjo e keqe po banalizohet dhe po përkeqësohet nga mediat. Në vend që ato të kenë rolin që në këtë sistem komunikimi të përmirësojnë cilësinë e komunikimit po e përkeqësojnë atë”,- shprehet Tusha.
Por si ndikon kjo tek fëmijët të cilëve u serviren këto pamje sikur të ishte diçka normale? Viktimat kryesore të kësaj gjuhe të banalizuar janë fëmijët të cilët imitojnë sjelljet që shohin nga prindërit, shoqëria, televizioni etj.
Gëzim Tushaj tregon se në tipologjinë e njeriut të suksesshëm ose të modelit që duam të krijojmë tek fëmijët për të qenë të suksesshëm, kemi filluar të shtojmë edhe dhunën verbale që vjen nga sistemi i gjuhës. Ai thekson se fëmijët duhet të mbrohen nga të gjitha sistemet mbrojtëse dhe dhe të largohen nga këto emisione.
“Në vend që t’i mbrojmë nga kjo e keqe, i kemi vendosur fëmijët para ekranit për të marrë pikërisht këto modele. Në këtë rast i marrin modelet e tyre dhe imitojnë veprimet që shohin. Imitojnë sistemin e komunikimit që shohin nga prindërit e tyre, nga televizioni, nga shoqeria pra nga më të rriturit e tyre. Fëmijët janë viktimë të kësaj situate dhe duhen mbrojtur.
E vetmja mbrojtje për fëmijët është jo vetëm largimi nga emisione të tilla që kanë këto problematika por njëkohësisht edhe komunikimi i vazhdueshëm i prindit me mësuesit dhe me sistemet e tjera të mbrojtjes dhe edukimit të tyre”,– shprehet sociologu.
Synimi kryesor i televizionit është informimi, edukimi dhe e mira publike. I pyetur se përse televizionet kanë dalë nga ky qëllim kryesor, sociologu rrëfen se televizionet kanë cënuar kodin etik të tyre në emër të shikueshmërisë dhe reklamuesve që investojnë në media.
“Ne jetojmë në një shoqëri post moderne, një shoqëri e komercializuar dhe mesa duket kjo shoqëri do kalojë nëpërmjet tregut dhe kjo ka bërë që televizionet shqiptare kanë cënuar kodin etik të tyre në emër të audiencës, në emër të atraksionit për të terhequr sa më shumë klientë, njerëz dhe biznese për të investuar në media”,– thotë sociologu Gëzim Tusha.
Gjithashtu, profesori dhe sociologu Gëzim Tusha thekson se nuk duhet të rikthejmë censurën dhe t’i ndalojmë këto programe producentët e këtyre programeve, janë të detyruar të respektojnë një minimum vlerash etike të cilat ndikojnë më vonë tek sjellja e qytetarit. Pra, duhet të ketë një kontroll të produktit përfundimtar.
“Nuk mendoj se kemi nevoje të rikthejmë censurën, jemi në një shoqëri liberale por nuk do të thotë se gjithçka lejohet, sepse nëse gjithçka lejohet do të thotë që asgjë nuk do të ndalohet. E nëse nuk ndalohet asgjë atëherë do të thotë se nuk ndalojnë dot as këtë lëndë toksike që qarkullon nëpërmjet medive.
Në vend që të kërkojmë rivendosjen e censurës apo mjete të tjera drastike sikurse shumë njerëz thonë: Të mbyllet “Big Brother”, “Për’Puthen” etj; unë nuk mendoj se është kjo rruga e duhur. Për mendimin tim, producentët e këtyre programeve, duhet të kuptojnë që janë të detyruar të respektojnë një minimum vlerash etike të cilat ndikojnë më vonë tek sjellja e qytetarit sepse sikurse thonë sociologët ajo që transmetohet në televizion e dhjetë fishon të mirën ose të keqen”,- vijon Tusha.
I pyetur se si ka ndryshuar promovimi i vlerave në televizion gjatë dhjetë viteve të fundit, sociologu tregon se kjo është një ‘marrëdhënie’ reciproke. Defektet që pasqyron televizioni janë në njëfarë mënyre defekte që i ka edhe shoqëria. Pra, ka një lidhje midis mediave dhe nivelit të zhvillimit të qytetërimit tonë. Tusha thotë se:
“Unë mendoj që nuk duhet të gjykojmë bardh e zi dhe të themi që gjithçka ka shkuar keq. Defektet që pasqyron televizioni janë në njëfarë mënyre defekte që i ka edhe shoqëria.
Pra, ka një lidhje midis mediave dhe nivelit të zhvillimit të qytetërimit tonë. Edhe ndikimi është reciprok. Mendoj që ky ekuacion midis opinionit publik dhe transmetimit mediatik duhet të përmirësohet për të pasur cilësi më të mira të transmetimit”.
Por cilat janë modelet që po jep televizioni sot, sipas sociologut Tusha? Ai thekson se insitucionet morale si: familja, shkolla dhe institucionet fetare së bashku me median duhet të ndikojnë pozitivisht në shoqëri duke ofruar modele dhe shembuj për t’u ndjekur.
“Modelet që po jep televizioni sot janë modele të cilat kanë nevojë të rishikohen, të rikonstruktohen dhe të disiplinohen. Duhet të japim modele pozitive për shoqërinë. Ne jetojmë në një shoqëri individualiste, liberale dhe është e vështirë të kërkosh sot njeriun etik, human që duhet të jetë solidar, social etj. Këto komponentë kanë filluar të hollohen në emër të individualizmit, luftës së njeriut për të pasur sukses, para, famë dhe njerëzit janë vënë pas këtyre tendencave.
Nuk është modeli i njeriut që bullizon, ofendon, dhunon tjetrin, modeli që i duhet kohës. Kjo duhet ridimensionuar nëpërmjet institucioneve morale sikurse janë: familja, shkolla, institucionet fetare etj, të cilat sëbashku me median mund dhe duhet të ndikojnë në stabilizimin e social dhe etik të shoqërisë.”
INTERVISTA E PLOTË:
Sipas jush, si ndikojnë këto shembuj në edukimin e qytetarëve?
Padyshim që në këto spektaklet e fundit, ka një përkeqësim të dukshëm të kulturës gjuhësore, e cila po vazhdon të banalizohet dhe degradimi i gjuhës së komunikimit qoftë në emisionet televizive por edhe në realitetin e jetës së përditshme shoqërore, ka marrë një karakter më të vërtetë shqetësues.
Dhunës së njohur në shoqërinë shqiptare: fizike, seksuale po i shtohet edhe dhuna verbale ose dhuna që realizohet nëpërmjet sistemit të komunikimit gjuhësor. Ky është një defekt kulturor shumë serioz. Është një e keqe shumë e madhe dhe e keqja më e madhe është se kjo e keqe po banalizohet dhe po përkeqësohet nga mediat.
Në vend që ato të kenë rolin që në këtë sistem komunikimi të përmirësojnë cilësinë e komunikimit po e përkeqësojnë atë. Prandaj dhe ka një lloj shqetësimi të gjerë social tek njerëzit lidhur me këtë situatë gjuhësore në shoqëri.
Si ndikojnë këto modele tek fëmijët që i shohin këto situata në televizion?
Padyshim që viktimat kryesore të kësaj gjuhe të banalizuar dhe këtij sistemi gjuhësor të deformuar janë fëmijët, të cilët në vend që t’i mbrojmë nga kjo e keqe, i kemi vendosur para ekranit për të marrë pikërisht këto modele. Në njëfarë mënyre, duket që në tipologjinë e njeriut të suksesshëm ose të modelit që duam të krijojmë tek fëmijët për të qenë të suksesshëm, kemi filluar të shtojmë edhe dhunën verbale që vjen nga sistemi i gjuhës.
Në këtë rast i marrin modelet e tyre dhe siç e dini fëmijët kanë moshën që imitojnë veprimet që shohin. Imitojnë sistemin e komunikimit që shohin nga prindërit e tyre, nga televizioni, nga shoqëria pra nga më të rriturit e tyre. Fëmijët janë viktimë të kësaj situate dhe duhen mbrojtur. E vetmja mbrojtje për fëmijët është jo vetëm largimi nga emisione të tilla që kanë këto problematika por njëkohësisht edhe komunikimi i vazhdueshëm i prindit me mësuesit dhe me sistemet e tjera të mbrojtjes dhe edukimit të tyre.
Përse e bëjnë televizionet këtë duke e ditur që synimi kryesor është informimi, edukimi dhe e mira publike. Çfarë mendimi keni ju?
Ne jetojmë në një shoqëri post moderne, një shoqëri e komercializuar dhe mesa duket kjo shoqëri do kalojë nëpërmjet tregut dhe kjo ka bërë që televizionet shqiptare kanë cënuar kodin etik të tyre në emër të audiencës, në emër të atraksionit për të tërhequr sa më shumë klientë, njerëz dhe biznese për të investuar në media.
A duhet të ketë një kontroll të këtij produkti përfundimtar?
Nuk mendoj se kemi nevoje të rikthejmë censurën, jemi në një shoqëri liberale por nuk do të thotë se gjithçka lejohet, sepse nëse gjithçka lejohet do të thotë që asgjë nuk do të ndalohet.
E nëse nuk ndalohet asgjë atëherë do të thotë se nuk ndalojnë dot as këtë lëndë toksike që qarkullon nëpërmjet medive. Në vend që të kërkojmë rivendosjen e censurës apo mjete të tjera drastike sikurse shumë njerëz thonë: Të mbyllet “Big Brother”, “Për’Puthen” etj; unë nuk mendoj se është kjo rruga e duhur. Por mendoj që rruga e duhur është që producentët e këtyre programeve, duhet të kuptojnë që janë të detyruar të respektojnë një minimum vlerash etike të cilat ndikojnë më vonë tek sjellja e qytetarit sepse sikurse thonë sociologët ajo që transmetohet në televizion e dhjetë fishon të mirën ose të keqen.
Kështu që, ndikimi i tyre në jetën shoqërore është jashtëzakonisht i madh, kjo do të thotë që dhe përgjegjësia e tyre duhet të jetë e madhe.
Si ka ndryshuar promovimi i vlerave në televizion gjatë dhjetë viteve të fundit?
Unë mendoj që nuk duhet të gjykojmë bardh e zi dhe të themi që gjithçka ka shkuar keq. Defektet që pasqyron televizioni janë në njëfarë mënyre defekte që i ka edhe shoqëria.
Pra, ka një lidhje midis mediave dhe nivelit të zhvillimit të qytetërimit tonë. Edhe ndikimi është reciprok. Mendoj që ky ekuacion midis opinionit publik dhe transmetimit mediatik duhet të përmirësohet për të pasur cilësi më të mira të transmetimit.
Cilat janë modelet që po jep televizioni sot?
Modelet që po jep televizioni sot janë modele të cilat kanë nevojë të rishikohen, të rikonstruktohen dhe të disiplinohen. Duhet të japim modele pozitive për shoqërinë, t’u mësojmë njerëzve të duan jetën, të duan shoqërinë. Padyshim që ne jetojmë në një shoqëri individualiste, liberale dhe është e vështirë të kërkosh sot njeriun etik, human që duhet të jetë solidar, social etj. Këto komponentë kanë filluar të hollohen në emër të individualizmit, luftës së njeriut për të pasur sukses, para, famë dhe njerëzit janë vënë pas këtyre tendencave.
Megjithatë, përpjekjet për të sjellë modelin e njeriut të suksesshëm, i cili për të arritur qëllimet dhe projektet personale mund të përdorë shumë lloje mjetesh, por këto mjete duhet të jenë humane. Nuk është modeli i njeriut që bullizon, ofendon, dhunon tjetrin, modeli që i duhet kohës. Kjo duhet ridimensionuar nëpërmjet institucioneve morale sikurse janë: familja, shkolla, institucionet fetare etj, të cilat sëbashku me median mund dhe duhet të ndikojnë në stabilizimin e social dhe etik të shoqërisë.
*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*