Shqipëria është përfshirë nga një mot i ftohtë gjatë ditëve të fundit dhe pritet që ekstremi i temperaturave të ulëta për këtë javë të arrihet gjatë mbrëmjes së sotme dhe mëngjesit të së mërkurës.
Stacionet meteorologjike rajonale raportojnë për ulje të temperaturave deri në -4 gradë Celsius gjatë mëngjesit të sotëm në kryeqytet, si dhe zonat malore të vendit.
Temperaturat e ulëta nga -4 deri në 2 gradë Celsius, do të përfshijnë thuajse 80% të territorit të Shqipërisë, duke përjashtuar vetëm zonat bregdetare, të cilat do të kenë temperature disi më të larta krahasuar me pjesën tjetër.
Temperatura më e ulët pritet të arrihet në Kukës me -8 gradë Celsius, Peshkopi me -6 Gradë Celsius, Bajram Curri e Korçë me -6 dhe -7 gradë Celsius, etj.
Situata pritet të përmirësohet disi gjatë mesditës së nesërme, ku temperaturat do të rriten sërish pas kalimit të rrymave të ftohta ajrore me origjinë nga Veriu i kontinentit.
/Priza.al/