Përveç kafesë ekspres në baret dhe lokalet shqiptare, konsumohet gjerësisht edhe ajo që njihet si “makiato” ose kafeja me pak qumësht. Një kafe ekspres e përzierë me qumësht të nxehtë apo të ftohtë, do të ishte e mirë kudo, por në Shqipëri kjo lloj pije ka rënë “viktimë” e tretësirave të konservuara dhe të ambalazhura të cilat çdo gjë mund të jetë por vetëm qumësht jo.
Shumë klientë në lokalet tona, kur porositin një makiato e cila nuk u vjen në shijen e duhur, u vënë fajin për këtë banakierëve ose ekspresit që “nuk e bëjnë si duhet”.
Por nuk është as njëra dhe as tjetra arsyeja. Fajin për makiaton jo të mirë e keni vetë.
Kur porositni një makiato në bare, nuk e dini se jeni duke i bërë një dëm të madh stomakut dhe gjithë organizmit tuaj.
Fajin nuk e ka kafeja kurrsesi, madje as ekspresi apo banakieri, por qumështi që përdoret për t’ju shtuar si përzierës kafesë.
Qumështi me vaj palme
Në 10 vitet e fundit Shqipëria është bërë një “parajsë” e produkteve ushqimore aspak cilësore, dhe sidomos atyre me bazë vajin e palmës.
Ky vaj, i cili përdoret nga agro-përpunuesit si përzierës për shumë produkte ushqimore, kryesisht bulmeti ose ëmbëlsirat, sot në mbarë botën ka hasur në një debat të ashpër.
Ai konsiderohet nga shumë mjekë dhe studiues si një vaj me substanca kancerogjene, dhe tepër i dëmshëm për organizmin.
Por në 10 vitet e fundit në Shqipëri, sasia e importit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur janë dhjetëfishuar nga ana e kompanive të agro-përpunimit, duke zënë rekorde në zhdoganime.
Gati që të gjitha kompanitë që merren me prodhimin dhe tregtimit e qumështit dhe nënprodukteve të tij bulmetore në të gjithë Shqipërinë, punojnë me vaj palme dhe me qumësht pluhur.
Ekspertët e sigurisë ushqimore kanë theksuar edhe më herët, se qumështi pluhur që përdoret si tretësirë shtuese në shumë nënprodukte të qumështit, është më pak i dëmshëm se sa vaji i palmës.
Por ky i fundit edhe pse mund të mos përdoret gjerësisht, ka një sektor ku ai përdoret pa masë.
Ky është pikërisht “qumështi i kafesë” që vetëm qumësht nuk është, por një tretësirë midis ujit, qumështit pluhur, vajit të palmës dhe disa esencave të tjera.
E pra, ky produkt që tashmë importohet nga jashtë, por edhe prodhohet gjerësisht nga fabrikat e qumështit në Shqipëri, ka zënë vend në çdo bar dhe kafene.
Këto të fundit janë biznesi më i përhapur në Shqipëri dhe nga statistikat e fundit të EUROSTAT, vendi ynë renditet si i pari në botë për nga numri i bareve dhe kafeneve për frymë popullsie.
Të gjithë shqiptarët duan të pinë kafe, por edhe pse e konsumojnë shumë atë, nuk janë bërë ende konsumatorë cilësorë dhe të kujdesshëm.
Pasojat në shëndet
Shqiptarët nuk e dinë se kur porositin makiato, ata kanë marrë një dozë nga “qumështi” i mbushur në ambalazhin tetrapak me vaj palme dhe esenca të tjera.
Por mendoni pak nëse çdo ditë ju takon të pini disa filxhanë makiato. Po në javë? Po në një muaj? Po në një vit?
Shumëfishojeni këtë me sasinë e filxhanëve me makiato të pira në një vit kalendarik dhe pastaj shkoni tek një mjek i mirë që t’u tregojë se çfarë i keni bërë stomakut tuaj…
Duke iu referuar studimeve të fundit, kombinimi i kafesë dhe qumështit, pra makiato ka pasoja negative shëndetësore.
Ndonëse qumështi i jep një aromë më të lehtë dhe më të shijshme për kafen, pasojat janë për organizmin tonë.
1- Kombinimi i kafeinës dhe kazeinës (proteina e qumështit) krijon mpiksjen e stomakut, që është shumë e vështirë për t’u tretur. Jo vetëm që kafeja me qumësht bëhet më pak e lehtë, por gjithashtu mund të shkaktojë intolerancë.
2- Qumështi në kafe shkakton sekretim të kalciumit përmes urinës, duke rritur sekretimin e kalciumit në zorrë.
3- Kafja e thjeshtë nuk përmban kalori dhe yndyra. Kur kombinohet me qumësht, atëherë numri i kalorive të panevojshme dhe yndyra që hamë është rritur, sidomos kur pimë shumë kafe çdo ditë.
Ja pra, pse nuk duhet të pini makiato, sidomos në Shqipëri ku cilësia si e qumështit të prodhuar në vend për kafenë, si atij të importuar lë shumë për të dëshiruar.
Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016