Pothuajse të gjitha vendet nuk janë në rrugën e duhur për të përmbushur objektivin zero neto të emetimeve të gazeve serrë të vendosur nga Pakti i Klimës së Glasgout 2021, sipas Indeksit të Performancës Mjedisore 2022*.
Sipas raportit, Shqipëria renditet e 62-ta, nga 180 shtete të marra në studim, sa i përket performancës së mbrojtjes së mjedisit. E parë në një këndvështrim rajonal, Maqedonia e Veriut ka performuar më mirë, e renditur e 34-a, ndërsa ata që s’kanë bërë mirë detyrat e shtëpisë janë Serbia e 79-a dhe Bosnja e Hercegovina e 102-a.Nënkategoritë ku Shqipëria ka performuar më pak ka qenë adresimi i politikave të duhura për zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe shëndeti mjedisor në tërësi.
Nënkategoritë e marra në studim për të bërë vlerësimin përfundimtar janë: Shëndeti Mjedisor, Vitaliteti i Ekosistemit dhe Ndryshimi i Klimës.
Tendencat mbarë botërore sugjerojnë se shumë vende kanë bërë përparim të rëndësishëm gjatë dekadës së fundit në çështjet kritike të shëndetit mjedisor si kanalizimet, uji i pijshëm dhe ndotja e ajrit të brendshëm. Këto përfitime tregojnë se investimet në infrastrukturën mjedisore, si objektet e trajtimit të ujërave të zeza dhe teknologjitë më të mira të energjisë shtëpiake të tilla si sobat më të pastra mund të përkthehen në përmirësime të shpejta në shëndetin publik. Metrikat e reja të cilësisë së ajrit të EPI tregojnë, megjithatë, se banorët në shumicën e vendeve ende thithin ajër të pasigurt. Më shumë se tetë milionë njerëz vdesin para kohe çdo vit nga ekspozimi ndaj ndotësve të ajrit të brendshëm dhe të ambientit. Vendet e Azisë Jugore, si India, Nepali dhe Pakistani, janë veçanërisht të prapambetura në cilësinë e ajrit.
Më shumë se 50% e emetimeve në vitin 2050 janë planifikuar të vijnë nga Kina, India, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, sipas trajektoreve të parashikuara të vendeve bazuar në të dhënat nga viti 2010 deri në vitin 2019. Duke mbetur prapa kolegëve të saj, Shtetet e Bashkuara u renditën e 43-ta nga 180 vende në indeks. Kjo renditje pasqyron rikthimin e mbrojtjeve mjedisore gjatë administratës Trump, e cila shfuqizoi ose dobësoi gati 100 rregullore mjedisore, u tërhoq nga Marrëveshja e Parisit për Klimën dhe dobësoi standardet e efikasitetit të karburantit. Renditja e përgjithshme i vendos Shtetet e Bashkuara pas shumicës së demokracive të pasura perëndimore, duke përfshirë Francën (e 12-tën), Gjermaninë (13), Australinë (17), Italinë (23-tën) dhe Japoninë (e 25-tën).
*Një analizë nga hulumtuesit e Yale dhe Columbia që ofron një përmbledhje të bazuar nga të dhënat e shtetit të qëndrueshmërisë në mbarë botën./Monitor