“Kujdesu për ‘shtëpinë e barit’ ose vdis”. Përpara kësaj zgjedhjeje thotë një shqiptar se e kishin vënë bandat në Britaninë e Madhe pasi mbërriti atje me anije. Sevedin Cara, 32 vjeç, u pagua 4 mijë Paund për të kryer udhëtimin nga Kanali i La Manshit drejt Anglisë. Sapo mbërriti në “tokën e premtuar”, disa persona iu afruan në një kafene dhe i ofruan një punë. Pas kësaj u gjend në një shtëpi me 4 dhoma dhe i thanë që të kujdesej për rrënjët e drogës.
Por 32-vjeçari u kap kur policia mësyu në shtëpinë e vendosur në Lloyds vitin e kaluar. Më 12 Janar (të enjten) shqiptari u burgos pasi u shpall fajtor për prodhim kanabisi. Cara ka thënë se personi që i ofroi punë ishte një person me origjinë afrikane. Prokurori Jonathan Stone u shpreh se pasi shqiptari u dërgua në shtëpinë e barit u detyrua të kujdesej për drogën ose në të kundërtën do ta vrisnin.
32-vjeçari është shprehur se çdo javë e vizitonte shtetasi afrikan, të cilin e thërriste vetëm me emrin “A”. Ky i fundit kontrollonte disa kamera sigurie. “Ai (Cara) mendonte se po vëzhgohej dhe nuk arratisej për shkak se kishte frikë se çfarë mund t’i ndodhte”, tha Stone.
Kur policia ndërhyri në banesë, Cara u përpoq të largohej nga një dritare. Shqiptari kujdesej për rreth 140 bimë kanabis. Gjykatësi e dënoi shqiptarin me 30 javë burg./Marrë nga: northantstelegraph.co.uk