I pari Lirik shqiptar, Mihal Ciko, nderohet në 120 vjetorin e lindjes. “Kori Lira” me këngët patriotike e Banda e Korçës, qytetit ku këngëtari e pedagogu lindi, interpretoi në nder të tij pranë Pallatit të Kulturës. Në të ashtuquajturin “Paris të vogël” ku Ciko vuri në skenë të parën operetë …
“Protagonisti i kësaj mbrëmjeje është Mihal Ciko vetë. Është puna e tij, talenti i tij, përkushtimi, karakteri i tij i fortë dhe vendosmëria për të qenë një nga iniciatorët, nismëtari i artit lirik shqiptar”, thotë i biri, muzikanti Zhani Ciko.
“Koha nxjerr sërish të reja. Ne dëgjuam këtu këngë, këngë të Mihal Cikos, që janë një kapitull më vete dhe ato unë nuk i kam ditur. M’i ka zbuluar një muzikolog që është këtu, prof. Behar Arllati”, shprehet Ciko.
Viktor Gjika e Teodor Laço e kanë përjetësuar krijimtarinë e historinë përtej saj të Mihal Cikos, përmes dokumentarit “Rrënjët”, që u shfaq në sallën e teatrit.
Nga bankat e “Mësonjëtores së parë” tek studimet për kanto në Bukuresht, që u konsoliduan më tej në konservatorin “Giuseppe Verdi” të Milanos, Mihal Ciko talentin dhe edukimin e tij e investoi në vendlindje. Që në vitet ’20 bashkë me personalitete të artit e kulturës si Lasgush Poradeci, Vangjush Mio e të tjerë ai nisi të jap kontributin e tij në vend. Fillimisht si bashkëthemelues i “Shoqërisë së Arteve të Bukura” në Korçë, më pas si drejtor muzikor në “Radio Tirana” ku iu dedikua edhe ngritjes së orkestrës. Dha në mësim në Lice e më tej në Institutin e Arteve, ndërsa pas themelimit të “Operës” punoi aty si regjisor, pedagog e solist.
“Këto kohë është botuar një libër tjetër për bandën “Vatra”, dhe aty del dhe roli i rëndësishëm që ky djalë 18-vjeçar i ardhur nga Bukureshti kishte për bandën ‘Vatra”, thotë dirigjenti.
Fraku elegant i Mihal Cikos i qepur nga rrobaqepësit e Korçës, si pasuri sa shpirtërore aq edhe materiale, 36 vite larg ndarjes fizike të artistit i dhurohet në fund të mbrëmjes, teatrit “Andon Zako Çajupi” …
“Jeta vetë do t’i vërë në vend meritat, sepse ka ardhur koha që historia të jetë histori dhe kontributet të mos harrohen”, shprehet Ciko.