Një drejtues mjeti është arrestuar në Kukës, pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Shtetasi me iniciale B. A., 29 vjeç akuzohet për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Mësohet se gjatë një jave janë vendosur në total 206 gjoba për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Njoftimi i policisë:
DVP Kukës/Shërbimet e Policisë Rrugore, kontrolle të shtuara në të gjitha akset rrugore dhe pranë shkollave, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor.
Gjatë kontrolleve u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, shtetasi B. A., 29 vjeç, banues në Kukës, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Gjatë javës janë vendosur 206 masa administrative, konkretisht:
- 31 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
- 34 masa për parakalime të gabuara;
- 40 masa për mosrespektim të sinjalistikës rrugore;
- 101 masa për shkelje të rregullave të tjera të Kodit Rrugor, të cilat janë burim aksidenti.
Kontrollet do të vazhdojnë çdo ditë, me qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore me pasoja për jetën e përdoruesve të rrugës.
Policia Rrugore e Kukësit falënderon drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, duke u garantuar reagim të shpejtë.