Fitorja me Laçin ka ngritur moralin në ekipin e Kukësit që tashmë ka gjetur fitoren e parë dhe largon një presion të madh nga shpatullat. Verilindorët vazhdojnë përgatitjet për ndeshjen e rradhës në javën e 7 të Abissnet Superiore ndaj Bylis në Kukës Arena me dyer të mbyllura.
Trajneri Dobi bashkë me stafin dhe lojtarët kanë shpallur qartë objetivin për 9 pikë në 3 ndeshjet e rradhës për të “nisur” edhe njëherë xhirot e larta në kampionat. Në letër objektivi është i mundshëm por fusha është tjetër gjë. Pas Bylisit, Kukësi udhëton në Durrës për t’u përballur me Erzenin dhe më pas të mbyllë fazën në shtëpi me Egnatian.
Tre ekipe që në letër janë të kalueshme por ky sezon ka treguar se këto ekipe nuk duhen kurrsesi të nënvlerësohen. Bylis dhe Erzeni ndajnë vendin e 3 dhe 4 me pikë të barabarta me Tiranën e vendit të dytë ndërsa Egnatia mban vendin e 6 por ka 4 ndeshje që nuk njeh humbje.