Një tjetër shtetas është vënë në prangat e policisë ditën e sotme, serish për kultivim kanabis. Bëhet fjalë për shtetasin K.O, banues në lagjen “Gjashtë”, Sarandë, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
29 vjeçari i ka dhënë me qira një magazinë shtetasit K.M, i cili e kishte përshtatur atë si një ambient për kultivimin në kushte laboratorike të bimëve narkotike cannabis sativa. Sakaq, vijon puna për kapjen e shtetasit K. M.
Njoftimi i policisë:
Vijon operacioni policor i koduar “Volloder”.
Shkon në 3 numri i personave të arrestuar.
Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Vlorë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim gjatë operacionit policor të koduar “Volloder”, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit:
– K. O., 29 vjeç, banues në lagjen “Gjashtë”, Sarandë, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Shtetasi K. O. ishte shpallur në kërkim, pasi në fshatin Nivicë, Sarandë, i kishte dhënë me qira një magazinë, shtetasit K. M., i cili e kishte përshtatur atë si një ambient për kultivimin në kushte laboratorike të bimëve narkotike cannabis sativa.
Vijon puna për kapjen e shtetasit K. M.