Goditet një tjetër rast i kultivimit të kanabisit me anë të llambave. Policia e Shkodrës ka zbuluar në Bushat dy magazina që ishin përshtatur për kultivim të kanabisit, me anë të ngrohjes me llamba.
Njoftimi i policisë
Shkodër | Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të kultivimit, prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative nga ana e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqet e Paligjshme, se një shtetas, në fshatin Mnelë të Bushatit, kultivonte bimë narkotike me anë të llambave, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Bushati”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit: Gjergj Vasija, 33 vjeç, Kristjan Vasija, 21 vjeç, Prendë Vasija, 22 vjeç, Kristjan Nikolli, 56 vjeçe, të katërt banues në fshatin Mnelë.
Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë edhe 2 punonjës të OSHEE-së, shtetasi Ardjan Kovaçi, 36 vjeç (përgjegjës i zonës) dhe Andi Kapcari, 25 vjeç (lexues i matësit elektrik), banues në Bushat, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në ambientet që ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, në zonën që ata kishin në monitorim.
Gjatë operacionit u zbuluan dy magazina që Gjergj Vasija i kishte përshtatur për kultivim të bimëve narkotike në kushte laboratorike me anë të llambave, si dhe një magazinë ku prodhoheshin vazo plastike, aktivitet i paregjistruar në organet tatimore.
Nga kontrolli i magazinave dhe banesave u sekuestruan 100 kilogramë cannabis sativa, 0.5 litra vaj hashashi, një armë zarri pistoletë me municion luftarak, baza elektrike (llamba, stabilizatorë elektrikë që shërbenin për kultivim të bimëve narkotike) dhe 187 kova plastike që shërbejnë për kultivim të bimëve narkotike.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Armëmbajtja pa leje”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi i aktivitetit pa licencë”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
/Priza.al/