Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në prezantimin e bilancit të punës për vitin 2022 dhe pritshmëritë për këtë vit, tha se, “viti që lamë pas shënoi rritjen e numrit të zonave të mbrojtura në të gjithë Shqipërinë nga 17.5 % në 21.3 %, pas një periudhe 2-vjeçare të studimit të gjithë territorit, i cili që nga mesi i viteve 80′ nuk kishte njohur një përditësim të zhvillimeve dhe ndryshimeve që ka pësuar territori, me qëllim mbrojtjen e pasurive natyrore”.
Kumbaro tha se “sfida jonë në kuadër dhe të angazhimeve të nismave ndërkombëtare është që sipërfaqja e zonave të mbrojtura të arrijë në 30% të territorit brenda vitin 2023”.
“Ne kemi nisur me krijimin e disa parqeve të reja natyrore dhe kombëtare siç është Parku natyror i Luginës së Vjosës, krijimi parkut natyror Alpet e Shqipërisë që dyfishoj sipërfaqen e copëzave zona të mbrojtura në veri të Shqipërisë, krijimi i parkut natyror “Syri i Kaltër” me sipërfaqe 290 ha, Parku i Munellës dhe krijimi i parkut të Porto Palermos”, u shpreh Kumbaro teksa shtoi se, zgjerimi i zonave të mbrojtura ka rritur dhe fluksin e vizitorëve që shënoi 4.6 milionë vizitorë në këto zona për vitin 2022″.
“Vjosa do të shpallet me statusin më të lartë të mbrojtjes duke e kthyer në një pasaportë të Shqipërisë në fushën e mbrojtjes së natyrës në të gjithë botën. Shpallja e një lumi të egër park kombëtar i pari i këtij lloji në Europë”, tha Kumbaro.
Sipas saj, gjatë vitit 2022 ne kemi hartuar dhe përgatitur planin e menaxhimit për 10 zona të mbrojtura që i japin zhvillim të kontrolluar dhe të qëndrueshëm, ku padyshim nuk mbetet pas edhe planet për zonat e mbrojtura bregdetare.
“Vijmë këtë vit me një projekt të rëndësishëm investimi siç është ai i Ekopark Ulzës, ku përfshihet territori i zonës por edhe HEC i Ulzës dhe Shkopetit, që janë pjesë e zonës.
Një tjetër rikualifikim i parkut Tushmisht -Drilon ka filluar në 2022 dhe dotë vazhdojë edhe në 2023; rikualifikimi i ujërave termal të Bënjës, është një tjetër prioritet në 2023.
Gjithashtu sistemi i biletarisë elektronike në zonat e mbrojtura është një tjetër projekt që u zbatua në Kuje Vajin, Syrin e Kaltër dhe e kemi gati edhe për parkun e Divjakës me qëllim sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm”, u shpreh ministrja.
Kumbaro theksoi se, “Vjosa Park Kombëtar është kryefjalë e vitit 2023. MTM ka vendosur ta quaj 2023-shin vitin e Vjosës. Kemi mbaruar studimin e fizibilitetit për lumin e Vjosa dhe të gjithë degëve të saj, që do të jenë pjesë e Parkut Kombëtar të Vjosës duke përfshihen 8 bashki dhe duke zënë gati 1/3 e territorit të vendit”, u shpreh ministrja.