Banorët e Kaçinarit në Mirditë, protestuan ditën e sotme kundër ndërtimit të katër HEC-eve në këtë zonë. Banorët e të paktën shtatë fshatrave theksojnë se nuk do të lejojnë ndërtimin e tyre pasi do të ketë dëmtime të mëdha për mjedisin.
“Kemi dalë edhe herë të tjera por tani po behet më e egër dalja. Edhe kafshë të ishim, edhe Enver Hoxha nuk na hiqte ujin dikur. Edhe në burgun e Spaçit nuk janë trajtuar ashtu. Kur nuk kemi këto të drejta… Duhet të vijnë të bisedojnë që të bëhet marrëveshje. Këtu s’ka marrëveshje, këtu ka hajdutëri. Po na hoqët ujin, na kanë hequr jetën. Do i vazhdojmë protestat.”- tha një prej tyre.
Një tjetër banor kërcënon se do i mbrojnë me gjak tokat e dhe burimet ujore të zonës.
“Këtu nuk ka më të fuqishëm se ne që mbrojmë punën tonë dhe tokat tona. Do i vazhdojmë protestat deri në ditën e fundit dhe me gjak do i mbrojmë këto pasuri që kemi. S’mund t’i lejojmë të na prishin natyrën.” Leja për HEC-et në Kaçinar të Mirditës është dhënë në vitin 2018, por deri tani banorët e 7 fshatrave përmes protestave të vazhdueshme nuk e kanë lejuar kompaninë të nisë punën. Çështja shkoi edhe në Gjykatën e Lezhës ku u bë një padi.
Por nga hetimet e kryera prokuroria lokale ka dalë në konkluzionin se nuk ka element të veprës penale dhe e pushoi çështjen.