Pensionistët në vendet e pasura po ndjekin shembullin e Tom Brady-t
Më 11 shtator, Tom Brady, i cili kishte dalë në pension, u rikthye në Ligën Kombëtare të Futbollit Amerikan, duke udhëhequr ekipin e tij Tampa Bay Buccaneers, në një fitore vendimtare kundër Dallas Cowboys, në ndeshjen e parë të sezonit.
Brady, ndoshta qendërmbrojtësi më i madh në histori, në fillim të këtij viti kishte njoftuar se do të tërhiqej nga sporti, dhe ndryshoi mendje disa javë më vonë. Sportisti 45-vjeçar, duket se nuk është i vetmi që ka ndryshuar mendim për largimin nga bota e punës. Kudo në vendet e pasura, të moshuarit po rikthehen në punë, shkruan The Economist.
Ky ka qenë një ndryshim mbresëlënës. Kur goditi pandemia Covid-19 në vitin 2020, shumë njerëz që ishin pranë daljes në pension, e bënë këtë para kohe.
Duke përdorur të dhëna nga një shumëllojshmëri burimesh, ne kemi vlerësuar se shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore në vendet e pasura, për njerëzit mbi moshën 65 vjeç, ra ndjeshëm në pranverë të vitit 2020.
Kjo përfaqësonte rënie relativisht më të madhe se sa për njerëzit në moshë pune. Si gjithë të tjerët, disa të moshuar u pushuan nga puna pasi ra kërkesa. Nga ana tjetër, ata përballeshin edhe me rreziqe më të larta për t’u sëmurur rëndë ose për të vdekur, nëse infektoheshin me Covid-19, që do të thotë se shumë prej tyre nuk donin më të punonin.
Duke u mbështetur në përvojën historike, ekonomistët kishin hamendësuar se pensionistët e dalë në pension nga pandemia, nuk do të ktheheshin më kurrë në punë. Punëdhënësit shpesh i shpërfillin punëkërkuesit më të moshuar; nga ana tjetër, edhe të moshuarve mund t’i duket e frikshme ideja e mësimit të një praktike të re. Dy vite pas pandemisë, është e vërtetë se shumë persona duket se kanë ndjekur shembullin e Rob Gronkowski-t, ish-kolegut të zotit Brady, që i braktisi njëherë e përgjithmonë dorezat e punës.
Por një numër befasues njerëzish kanë ndjekur shembullin e zotit Brady. Sot, në vendet e pasura, në fuqinë punëtore ka më shumë persona mbi moshën 65 vjeç, sesa kishte në vitin 2019. Pjesëmarrja e të moshuarve është më e ulët se sa do të kishte qenë pa pandeminë.
Por ne vlerësojmë se numri i pensionistëve të shkaktuar nga pandemia, ka rënë me 20-40% që nga kulmi i tij. Në Britani dhe në Korenë e Jugut, aktiviteti i të moshuarve është më i lartë sot se sa ishte në vitin 2019. Edhe të dhëna të tjera mbështesin dukurinë e rikthimit të pensionistëve në punë. Statistikat nga Europa tregojnë se në fund të vitit 2020, një pjesë jashtëzakonisht e madhe e njerëzve të moshës 55 deri në 74 vjeç, po kalonin nga pasiviteti ekonomik në punësim.
Sipas analizës së të dhënave zyrtare, në tremujorin e dytë të këtij viti, rreth 75,000 britanikë të punësuar, thanë se kishin qenë pensionistë të papunë një vit më parë, një shifër shumë më e lartë se norma para pandemisë. Një dukuri e ngjashme vihet re edhe në Amerikë. Nick Bunker nga Indeed, një faqe pune, zbulon se përqindja e pensionistëve që rikthehen në vendin e punës çdo muaj, është më e lartë se sa ishte para pandemisë.
Në disa raste, pensionistët nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të kthehen. Trazirat e tregut kanë ulur vlerën e pensioneve (në Amerikë vlera totale e pensioneve ra me 4.5% në tremujorin e parë). Disa pensionistë kanë pakësuar kursimet “e tepërta” që kishin grumbulluar gjatë karantinave të Covid-19. Edhe inflacioni, që tani ka arritur rreth 10% në vendet e pasura, po ul fuqinë blerëse të pagesave fikse të pensioneve. Megjithatë, ka edhe faktorë që i joshin pensionistët të rikthehen në punë. Kërcënimi i virusit është zhdukur, çka do të thotë se më shumë njerëz nuk e kanë më merak të qëndrojnë nëpër hapësira publike.
Falë rritjes së kërkesës për punëtorë, punëdhënësit nuk kanë pasur zgjidhje tjetër veçse të lënë mënjanë paragjykimet e tyre ndaj të moshuarve dhe disa pensionistë të dikurshëm janë në gjendje të fitojnë mjaft para, edhe nëse punojnë vetëm me kohë të pjesshme. Megjithatë, të tjerë, thjesht mund ta kenë kuptuar se, siç tha edhe zoti Brady, “vendi i tyre është ende në fushë dhe jo në stol”./monitor