Kundërshtimet për hartën e re gjyqësore, reagon KLGJ: Synon rritjen e efikasitetit dhe efektshmërisë së gjykatave

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka ndjekur me vëmendje deklaratat dhe reagimet lidhur me vendimmarrjen e tij  “Për miratimin e raportit vlerësues dhe propozimit të Grupit Ndërinstitucional të Punës mbi riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave”.

Këshilli i Lartë Gjyqësor sqaron se Grupi Ndërinstitucional i Punës, ka hartuar raportin vlerësues përfundimtar mbi organizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave, në respektim të parimeve dhe kritereve të përcaktuara në ligjin 98/2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, i ndryshuar, duke mbajtur në konsideratë gjendjen në të cilën ndodhet sot sistemi gjyqësor, në respektim të detyrimit kushtetues të Këshillit të Lartë Gjyqësor për të garantuar mbarëvajtjen e funksionimit të këtij sistemi.

Raporti përfundimtar vlerësues është produkt i një procesi gjithëpërfshirës konsultimi. Ai reflekton një kontribut të përbashkët të Këshillit dhe Ministrisë së Drejtësisë, Gjykatave dhe partnerëve ndërkombëtare, të cilët në vijimësi e kanë mbështetur Grupin e Punës dhe Këshillin në hartimin e raportit vlerësues dhe propozimit që reflekton praktikat më të mira ndërkombëtare.

Këshilli në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë zhvilluan në fillim të vitit 2022, ciklin e konsultimeve publike mbi propozimin e riorganizimit të rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave. Opinionet dhe sugjerimet iu nënshtruan një procesi vlerësimi nga Grupi i Punës për të vijuar më pas me rishikimin e raportit vlerësues dhe finalizimin e projekt-propozimit për riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave.

“Harta e Re Gjyqësore” sipas raportit të miratuar, synon rritjen e efikasitetit dhe efektshmërisë së gjykatave. Ajo garanton shpërndarje të ekuilibruar të ngarkesës mes gjykatave dhe gjyqtarëve në funksion të marrjes së drejtësisë në mënyrë të barabartë dhe në të njëjtën kohë për të gjithë qytetarët. Kjo zgjidhje forcon aksesin e qytetarit në marrjen e shërbimit, pavarësisht afërsisë fizike me gjykatën.

Këshilli sjell në vëmendje se vlerësimi i organizimit të rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave përbën një detyrim ligjor periodik për Këshillin, i cili të paktën çdo 5 vjet, rivlerëson situatën, në varësi të nevojave dhe rrethanave konkrete.

Këshilli i Lartë Gjyqësor bën me dije se në referim të ligjit 98/2016, i ndryshuar, miratimi i “Raportit përfundimtar vlerësues dhe propozimit të Grupit Ndërinstitucional të Punës mbi Hartën e Re Gjyqësore”, përbën fazën e parë me natyrë vlerësuese të riorganizimit dhe kompetencave tokësore të gjykatave dhe i hap rrugën procesit të marrjes së mendimit nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Financave, përpara kalimit në fazën e dytë, e cila gjithashtu do të kërkojë nga Këshilli formalizimin në një vendimmarrje tjetër miratuese të bashkëpropozimit për “Hartën e Re Gjyqësore” dhe përcjelljen e tij për miratim Këshillit të Ministrave. Miratimi përfundimtar i bashkëpropozimit për “Hartën e Re Gjyqësore” është kompetencë ligjore ekskluzive e Këshillit të Ministrave.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *