Franca bëri detyrën duke u kualifikuar në çerekfinalen e Botërorit pas fitores 3-1 me Poloninë.
Presidenti i francezëve, Emmanuel Macron në një intervistë të dhënë për “Parisien” kishte dhënë parashikimin për ndeshjen dhe duket se ka qëlluar në shenjë, pasi sfida përfundoi pikërisht ashtu siç e mendonte numri një i shtetit.
“Mendoj se do të fitojmë 3-1! Levandovski do të shënojë për ata, një gol Mbape ose ndoshta Zhiru, që dëshiron të mbetet në histori. Dhe një tjetër do të shënojë golin e tretë të francezëve”, e nisi ai para se të shpjegonte se i ka ndjekur me ngulm blutë.
“Kam kontaktuar me Didier Deshamps pas çdo ndeshje! Unë konstatoj se është edhe një herë një kolektiv shumë i fortë dhe solid. Unë kam shumë respekt për Didier Deshamps, përvojën e tij, njohuritë e tij. Mosha mesatare e këtij kolektivi është shumë e re dhe në të njëjtën kohë duhet të jenë njëmbëdhjetë lojtarë që kanë një yll që e kanë qendisur vetë. Asnjë ekip në botë nuk e ka këtë freski dhe këtë përvojë. Kemi të moshuar si Zhiru dhe ‘Grizu’, që tregojnë se e kanë ende nën brez, një gjeni si Mbape, që dëshmon se është ende në takimet e mëdha dhe pastaj kemi të rinj!”, tha ai.