Vllaznia ka marrë një fitore shumë të vlefshme në transfertë me shifrat 2-1 ndaj Flamurtarit, duke hedhur një hap të sigurt drejt gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë.
Mustedanagic ishte autori i dy golave për shkodranët, të cilët më pas lëshuan terren dhe i dhanë mundësinë Flamurtarit të kthehej në lojë me golin e Oliveira, duke rrezikuar në fund edhe të pësonin golin e barazimit.
Por rezultati përfundimtar 2-1 bën që shkodranët të hedhin një hap të sigurt drejt gjysmëfinaleve, të cilat do të përpiqen t’i vulosin në ndeshjen e kthimit pas dy javësh.
Egnatia dhe Laçi janë ndalur në një barazim 1-1 në Rrogozhinë, ndeshjen e parë të fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Llogaritë e takimit u hapën në minutën e 17′ ku kurbinasit kanë realizuar me Julian Shehun me penallti pas asaj prekeje me dorë.
Goli i barazimit erdhi pas 5 minutash, ekzaktësisht në minutën e 22′ ku pas disa kombinimeve Demir Imeri shënon për skuadrën rrogozhinase duke rikthyer kështu dhe baraspeshën.
Ndeshja e kthimit do të vendosë gjithçka për fatin e të dyja skuadrave për ecurinë e tyre në Kupën e Shqipërisë, ku do të zhvillohet në stadiumin e qytetit të Laçit, të mërkurën e 9 shkurtit.
/Priza.al/