Ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Charles Kupchan, thotë për tëvë1 se nuk ka ftohje të raporteve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mirëpo sipas tij disa lëvizje të Kurtit kanë qenë provokuese për Uashingtonin zyrtar.
Vlerëson se nuk është momenti i duhur që në këtë fazë të hapet ura mbi lumin Ibër për qarkullimin e lirë të automjeteve, siç edhe po insiston qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin.
Profesori amerikan, Charles Kupchan, thotë se kryeministri Kurti mund të ketë të drejtë politike për ta hapur urën por se nuk do të ishte gjëja e duhur për ta bërë tani. Sipas Kupchan, këto lëvizje të kryeministrit kosovar po shihen si të njëanshme nga komuniteti ndërkombëtar.
“Vetëm pse kryeministri ka të drejtë politike dhe ligjore për të hapur urën, nuk është patjetër gjëja e drejtë për t’u bërë kur jemi te qëllimi i gjerë i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, me qeverinë në Serbi, dhe te krijimi i një situate paqësore dhe drejt progresit në Kosovë.
Prandaj brengosem që nëse kryeministri Kurti lëviz njëanshëm, ai nuk e ka pajtimin e serbëve në veri, pajtimin e Beogradit, nuk e ka përkrahjen e SHBA-së dhe vendeve të NATO-s. Kjo lëvizje mund të bëjë më shumë keq se mirë”, ka thënë ai për Tëvë1.