Ngërçi i krijuar me bllokimin e fluturimeve në aeroportin e Rinasit, ka rikthyer luftën politike në vend. Teksa vendi po shkon drejt zgjedhjeve të 25 prillit, një grevë e tillë është parë si puç politik. Kryeministri Edi Rama e ka drejtuar dje gishtin nga dyshja Meta-Berisha. Nga ana tjetër, mbrëmjen e djeshme Ministrja Belinda Balluku në një lidhje me “Opinion” foli për masat që po merren për të rikthyer normalitetin në Aeroporin e Rinasit.
Ajo tha se është ngritur një Task-Forcë, dhe se qeveria ka kontaktuar me bashkëpunëtorët kyç, megjithatë ministrja tha se në këtë moment nuk mund të jepte më shumë detaje. E pyetur nëse ekziston mundësia që në mungesë të kontrollorëve të saj, Shqipëria t’ia kalojë hapësirën ajrore një shteti fqinj, Balluku u shpreh se problemi qëndron tek fakti se ulje-ngritjet në Rinas bëhen vetëm nga kulla e këtij aeroporti. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, dje kryeministri Rama shprehu bindjen se pas kësaj ngjarje të rëndë fshihen Meta dhe ish-kryeministri Berisha, të cilët i akuzoi se gjithçka po e bëjnë për të penguar ardhjen e vaksinave. Madje, Rama paralajmëroi ndjekje penale për organizatorët e grevës.
Çfarë po bëhet dhe kur do të fillojnë fluturimet?
Ne kemi ngritur një Task-Forcë, kemi kontaktuar disa nga bashkëpunëtorët tanë kyç. Unë kam informuar gjatë ditës së sotme edhe aleatët, duke qenë se kemi një problematikë të madhe, sa i përket edhe të ushtrimit të NATO-s që do të zhvillohet më 26 prill. Kështu që po marrim masat. Do më falni nuk do mundem ta ndaj me ju sesi po mitigohet kjo fazë.
Dikush më shkruan se në bazë të marrëveshjes së Çikagos, mund t’i kalojë hapësira ajrore shqiptare për menaxhim një shteti fqinj, është e mundshme?
Planet e kontigjencës përfshijnë edhe delegimin e hapësirës në vendet fqinje. Por më lejoni t’ju them diçka, që nuk është problemi i madh nuk qëndron tek hapësira e sipërme, pasi një pjesë e kontrollorëve janë në detyrë. Pra mbikalimet edhe mund ta vazhdojnë operimet. Ulje-ngritjet në aeroportin e Rinasit, mund të kryhen vetëm nga Kulla e Rinasit, dhe nga asnjë vend tjetër.