Kur do të mbahet seanca për shkarkimin e Metës? Gjykata Kushtetuese merr vendimin

Gjykata Kushtetuese ka vendosur se më 18 janar, ora 10:00 do të mbahet seanca për të shqyrtuar çështjen për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta.

Në qershor të këtij viti, 104 deputetë nga 140 që ka gjithsej parlamenti i Shqipërisë votuan pro shkarkimit të Presidentit Meta. Maxhoranca socialiste e fajëson atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2021, të zhvilluara më 25 prill të këtij viti, të cilat kanë nxitur dhunë dhe kanë shkelur Kushtetutën.

Votimi u bazua në gjetjet e raportit të hartuar nga një komision hetimor me pjesëmarrjen edhe të opozitës, të ngritur enkas për të hetuar qëndrimin e Presidentit Meta para dhe gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare 2021.

Nëse gjykatësit kushtetues e gjykojnë të ligjshëm vendimin e Parlamentit, Presidenti Meta duhet ta lerë detyrën e lartë pa e përfunduar mandatin e tij pesëvjeçar, që mbaron në korrik 2022.

Vetë Presidenti Meta e ka konsideruar të paligjshëm komisionin hetimor, nuk ka pranuar akuzat e maxhorancës socialiste, e ka quajtur antikushtetues vendimin e parlamentit për shkarkimin e tij dhe “të orkestruar nga PS për hakmarrje politike.”

Gjykata Kushtetuese ka aktualisht ka 7 nga 9 anëtarë që parashikon kushtetuta. Një pjesë e tyre janë propozuar nga vetë presidenti Ilir Meta, për të cilin tani ata tani duhet të gjykojnë për shkarkimin ose jo të tij.

/Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *